Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski me rastin e 115 vjetorit të alfabetit të gjuhës shqipe ka uruar në shqip të gjithë shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.
Pendarovski shkruan se bashkimi i alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir, ishte hap kyç për kodifikimin e gjuhës shqipe.
“Unifikimi i alfabetit të gjuhës shqipe para 115 vjetësh, pikërisht në Manastirin tonë, si hap kyç për kodifikimin e gjuhës shqipe, është pa dyshim një nga shtyllat më të rëndësishme të identitetit kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve. Frutat e këtij akti krucial politik dhe kulturor i gëzojnë të gjithë shqiptarët kudo që janë. Jemi krenarë që sot bashkësia shqiptare është pjesë e pandashme e Republikës shumëkulturore dhe shumetnike së Maqedonisë së Veriut. Gëzuar 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe”- shprehet Pendarovski në facebook.
Sot shënohen plot 115 vite nga 22 nëntori i vitit 1908 ku u mbajt Kongresi i Manastirit Kongresin i shënuar si Dita e Alfabetit Shqip, i zhvilluar mes datave 14 deri në 22 nëntor të vitit 1908.
Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i përshtatur ato për gjuhën shqipe. Në Manastir morën pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet.