Presidenti Ilir Meta, ishte i pranishëm ditën e djeshme në ceremoninë e kurorëzimit të Perandorit të ri të Japonisë, Naruhito.

Meta ka publikuar një foto nga takimi që ka pasur me Perandorin, ndërsa ka shkruar se e ka uruar për detyrën e re, me shpresën që marrëdhëniet mes dy popujve të forcohen. 

"I urova jetë të gjatë dhe suksese në këtë detyrë shumë të rëndësishme, me besimin e plotë se gjatë Erës së Madhërisë së Tij, marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve e popujve tanë, do të forcohen më tej!" u shpreh Meta.

Perandori Naruhito u kurorëzua dje në prani të më shumë se 100 personaliteteve nga e gjithë bota në pallatin perandorak në Tokio.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:14
10 vjet diplomaci mes Kosovës dhe Japonisë, Meta krah Thaçit: Mbështetje e jashtëzakonshme

I ndodhur në Japoni, me rastin e kurorëzimit të Perandorit të ri të Japonisë, Ilir Meta ka marrë pjesë edhe në ceremoninë e organizuar me rastin e 10-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Japonisë.

Ai ka publikuar foto nga evenimenti, ku i pranishëm ka qenë edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Kënaqësi të merrja pjesë sot, së bashku me Presidentin Hashim Thaçi, në një event shumë të rëndësishëm në Tokio, në ceremoninë e organizuar me rastin e 10-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Japonisë.

Mbështetja e jashtëzakonshme e Japonisë për Kosovën, që nga kriza humanitare e dy dekadave më parë e deri më tani, është një vlerë e shtuar për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit tonë.”-shkruan Meta në një status në Facebook.