Nano, i cili shpalli dje kandidaturën e tij gjatë një interviste televizive, kishte njoftuar gjithashtu se do të takojë të gjithë liderët e partive kryesore në vend, qofshin të majtë apo të djathtë, për t’u paraqitur si një kandidat konsensual në garën e për kreun e shtetit.
Mësohet se takimi mes tyre u zhvillua kokë më kokë, pa praninë e personave të tretë.
NANO: NE HISTORI BASHKEPUNIMI
“Nisa turin e konsultave me përfaqësuesit e partive parlamentare”, tha Nano në përfundim të takimit që zgjati rreth 1 orë e 45 minuta. “Një koincidente sinjifikative” e quajti ai hapjen e këtyre takimeve me Ilir Metën, lideri LSI, “që ka ka integrimin në programin e saj”.
“Po verifikojmë mundësitë për një politikë më të arsyetuar që politikat e integrimit t’i shërbejnë realizimit të tyre”. Gazetarëve që këmbëngulnin të dinin nëse kishte arritur të merrte mbështetjen e Metës, Nano u tha se “unë në moshën tuaj nuk do isha kaq i paduruar për disa realitete që politika shqiptare i gatuan ngadalë”.
Ndërsa në lidhje me deklaratat e Kryeministrit Berisha, sipas të cilat mazhoranca i ka emrat e saj, Nano tha se “Kryeministri bën mirë që nuk sposton axhendën e shpallur për ndotjen. Me sa duket unë nuk jam pjesë e ndotjes”.
Ai konfirmoi se do të takohet me liderin socialist, Edi Rama, në fillim të javës së ardhshme, por nuk ishte në gjendje të pohonte se kur do të zhvillohej një takim me Kryeministrin Berisha.
“Me Metën na lidh një histori e gjatë bashkëpunimi. Partia e tij është partia e Integrimit dhe unë dua të lëviz me tonin e integrimit”, përfundoi Nano deklaratën e tij.
META: KENAQESI DIALOGU ME NANON
Ndërsa Ilir Meta foli për një “kënaqësi për të qenë vazhdimisht në dialog me zotin Nano, një politikan i njohur, që ka afirmuar edhe vullnetin e tij për kontribuuar si kandidat për president dhe në këtë drejtim mund të theksoj se vlerësoj mesazhet e tij konstruktive për t’i shërbyer një procesi të ç’tensionuar”.
"Pavarësisht nga diagrama e raporteve të mia me zotin Nano në të kaluarën duhet të vlerësojmë që është një politikan me eksperiencë i cili ka dhënë kontribute për t’i shërbyer shtensionimeve politike në momente serioze. Një politikan që i ka shërbyer formacionit demokratik të pushtetit. Në këtë drejtim për mua mbetet shumë i rëndësishëm angazhimi i tij dhe preokupimi i tij për ti shërbyer procesit të integrimit evropian edhe me këshillat, dhe mesazhet e ditës së djeshme dhe ditës së sotme për mua por edhe për z. Luan Rama", tha Meta.
“Më i rëndësishëm se emri, është procesi, klima politike. Jemi në një javë vendimtare për statusin e vendit kandidat”, theksoi Meta duke komentuar kandidaturën e Nanos si president.
Pyetjes nëse e përjashton kandidaturën e Nanos, Meta iu përgjigj: "Përjashtimi, paragjykimi nuk i takojnë filozofisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Filozofia jonë është integrimi."
Eshtë Nano në rrugën e duhur drejt Presidencës? "Unë vlerësoj që në radhë të parë ai shikon këtë kandidim ashtu sikurse është shprehur publikisht, si një kontribut për të këtë proces dhe jo për t’u vënë në funksion të një pale kundër një pale tjetër. Me këtë rast dua të shpreh bindjen time por edhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim që institucioni i presidentit nuk duhet konceptuar dhe nuk duhet kuptuar si një llogore e njërës palë kundër palës tjetër, cilado qoftë pala", u përgjigj Meta.
(im/shqiptarja.com)