DELVINE - Në një ceremoni të veçantë të zhvilluar në mjediset e Pallatit të Kulturës Delvinë Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vlerësoi me dekoratën “Nderi i Kombit” Sulejman Delvinën me motivacionin: “Si patriot dhe politikan i shquar i kombit shqiptar, një ndër themeluesit dhe drejtuesit e shtetit shqiptar që në krijimin e tij, me ndikim në qarqet ndërkombëtare në mbrojtje të interesave kombëtare.”

Gjithashtu Kreu i Shtetit i akordoi titullin “Mjeshtër i Madh” grupit muzikor “Sazet e Delvinës” me motivacion:“Për ndihmesën e çmuar në interpretimin isopolifonik me instrumente muzikore të këngëve popullore e qytetare të trevës së Delvinës dhe mbajtjen gjallë të traditës me trashëgiminë kulturore në brezat që vijnë.”

Gjatë fjalës së rastit Presidenti Nishani shprehu në emër të gjithë shqiptarëve mirënjohjen për Sulejman Delvinën dhe grupin muzikor “Sazet e Delvinës” për kontributin e dhënë.

“Për mua është vërtet një moment i veçantë jo vetëm në karrierën time politike, por tashmë edhe si Presidenti i Republikës që të jem gjithmonë pranë qytetarëve, më së pari e mbi të gjitha për një arsye, për një qëllim, me një objektiv: të shpreh në emrin tim si President i Republikës, por edhe në emrin e të gjithë qytetarëve, të institucioneve të Shqipërisë vlerësimin, mirënjohjen, mbështetjen, falënderimin për përpjekjet e mëdha që çdo qytetar i vendit, çdo burrë e grua, çdo djalë e vajzë bëjnë çdo ditë në jetën e tyre individuale, çdo ditë në jetën familjare.Së pari dëshiroj të falënderoj shumë Kryetarin e Bashkisë dhe përmes falënderimit që ju adresoj ju, besoj se më pranoni që këtë falënderim t’ua adresoj të gjithë banorëve të Delvinës, atyre që janë sonte në këtë sallë, atyre që banojnë në këtë qytet, në këtë zonë, por edhe të gjithë delvinjotëve kudo që ndodhen, në Shqipëri apo nëpër botë. Le të përfitoj nga rasti që sonte t’u adresoj të gjithë delvinjotëve, familjeve të tyre një urim dhe përshëndetje nga zemra." tha Nishani Fjala e plotë e Presidentit Bujar Nishani në Delvinë

Në përfundim të ceremonisë së dekorimit, Kreu i Shtetit shqiptar dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani së bashku me deputetë, autoritete vendore, drejtues të bashkësive fetare dhe shumë qytetarë, të cilët i mikpritën në mënyrë vëllazërore e shumë të ngrohtë ndoqën një koncert artistik.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)