TIRANË, 15 Gusht/ATSH/.- Presidenti i Republikës Bujar Nishani ktheu sot në Kuvend për rishqyrtim tre ligje, të miratuara në fund të sesionit parlamentar.
Kreu i shtetit refuzoi dekretimin e ligjit "Për policinë e Shtetit", ndryshimet në ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe ato në ligjin "Për organizimin e gjykatave administrative", duke parashtruar argumentat e tij.
Në dekretin nr. 8681, Presidenti i Republikës paraqet arësyet e kthimit të ligjit "Për Policinë e Shtetit". Duke iu referuar nenit 2 të ligjit në fjalë, që lidhet me misionin e veprimtarisë së Policisë së Shtetit, e konkretisht atë të ruajtjes së personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë, Presidenti konstaton se ky ndryshim mbetet deklarativ pasi vetë neni 22 i tij e referon këtë rregullim në një ligj tjetër.
Po ashtu, Kreu i shtetit vëren se ligji i ri kërkon të kalojë në mënyrë të pakuptimtë, në përgjegjësinë e Policisë së Shtetit ruajtjen e personaliteteve të larta shtetërore, për sa kohë këtë mision e ka Garda e Republikës, një institucion i konsoliduar në këtë fushë.
Duke u ndalur tek neni 4 i ligjit "statusi i Policisë së Shtetit", Presidenti thekson se ky ndryshim, i cili e parashikon Policinë si pjesë të strukturës së Ministrisë së Brendshme, bie ndesh me parimin e paanësisë politike në të cilën bazohet e gjithë veprimtaria e strukturës së Policisë.
"Kjo lloj varësie mbetet tërësisht e paqartësuar për qëllimin që kërkohet të arrihet, sa kohe që funksioni i Ministrit është një funksion politik dhe rrezikon politizimin e Policisë së Shtetit", argumenton dekreti i Presidentit.
Lidhur me krijimin e "Byrosë Kombëtare të Hetimit" (Nenin 27), Kreu i shtetit gjykon se kemi të bëjmë me një strukturë, e cila krijon paralelizma në kompetenca dhe kontradiksion me objektin e veprimtarisë së organit të Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore.
Ndërsa në dekretin që kthen ligjin "Për organizimin dhe funksionimin e KLD-së" Presidenti vlerëson se ndryshimi që sjell neni 7 i ligjit duke parashikuar se "Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të Presidentit, zgjedh nga radhët e anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi një zv/kryetar", bie ndesh me nenin 147, pika 3 të Kushtetutës.
Kreu i shtetit argumenton se ky ndryshim përbën shkelje të parashikimeve kushtetuese në dy plane: kufizon kompetencën e Presidentit të Republikës në cilësinë e Kryetarit të KLD-së, për të propozuar si zv/kryetar cilindo nga anëtarët e këtij Këshilli, si dhe heq të drejtën që i ka dhënë kushtetuta anëtarëve nga radhët e gjyqësorit për t'u propozuar në postin e zv/kryetarit të KLD-së.
"Kushtetutëbërësit e kanë lënë në vlerësimin e Presidentit dhe të KLD-së zgjedhjen e zv/kryetarit, i cili mund të jetë si nga radhët e gjyqtarëve të zgjedhur nga Konferenca Kombëtare Gjyqësore, ashtu dhe nga radhët e anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi. Ndërsa me ndryshimet që sjell neni 7 i këtij ligji, de facto kjo kompetencë i kalon Kuvendit i cili me tre emërimet e tij në KLD e vendos Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Presidentin e Republikës para faktit të kryer. Në gjykimin tim, këto ndryshime cënojnë parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe rrezikojnë të dëmtojnë balancën duke ndërhyrë haptazi në pavarësisë e gjyqësorit, e cila është një nga shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës", shprehet Presidenti në dekret.
Në parashtrimin e arësyeve të kthimit të ligjit "Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative", Presidenti argumenton se ndryshimet dhe shtesat në ligjin në fjalë, ndonëse janë plotësisht të nevojshme për të siguruar mbarëvajtjen dhe efikasitetin në punën e gjyqtarëve në këto gjykata, konstaon se procedura e emërimit, lirimit dhe shkarkimit nga detyra të ndihmësve ligjore (neni 6/1 sipas ndryshimeve) është në kundërshtim me parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe më konkretisht të pavarësisë së gjyqësorit, e cila është një nga shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës.
Sipas Kreut të shtetit, kompetenca ekskluzive që i jep ligji kancelarit të gjykatës për të propozuar emërimin, lirimin apo shkarkimin e ndihmësve ligjorë, i vendos këta të fundit de facto nën varësinë e tij. Kryetari i gjykatës, i cili de jure emëron, liron apo shkarkon ndihmësit ligjorë nuk bën gjë tjetër veçse formalizon një vendim të marrë nga kancelari i gjykatës, dhe nuk ka diskrecion për mospranimin e kandidaturës apo refuzimin e shkarkimit ashtu siç nuk ka diskrecion apo të drejtë përzgjedhjeje as vetë gjyqtari pranë të cilit do të punojë ndihmësi, thuhet në dekretin e Kreut të shtetit. /a.s/f.n/