Presidenti në largim Bamir Topi firmosi sot shkarkimin e Bujar Nishanit nga posti i Ministrit të Brendshëm.

Në njoftimin për shtyp të publikuar sot në faqen zyrtare të presidencës thuhet se  "Në mbështetje të nenit 93 dhe 98, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë, me propozim të Kryeministrit, Zoti Bujar Nishani, ministër i Brendshëm, shkarkohet nga detyra. “ Dekreti me nr 7550 hyn në fuqi më 22.06.2012.

Sipas nenit 99 të Kushtetutës "Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi"

Më 11 qershor Bujar Nishani u zgjodh president me 73 vota të mazhorancës, ndërsa opozita e kundërshton e quan të njëanshëm.

Bujar Nishani pritet të ulet në postin e Presidentit më 24 korrik. Në një intervistë të pak ditëve më parë, Nishani deklaroi se kishte krijuar grupin e transferimit të pushtetit dhe se përkushtimi në punë do të ishte i njëjtë si ditën kur do fillonte deri ditën kur do e përfundonte mandati, 24 korrik 2012—24 korrik 2017

Kryeministri Sali Berisha ende nuk e ka zgjedhur emrin se kush do të jetë zëvendësuesi i Bujar Nishanit në postin e minitrit të Brendshëm. Zëra brenda ministrisë së Brendshme bëjnë me dije se përflitet për ardhjen e Sokol Olldashit në këtë dikaster, në të cilin në tre vjet janë ndryshuar dhe rikthyer tre ministra. Sokol Olldashi tani mban postin e ministrit të Transportit dhe Telekomunikacionit.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)