Zoti Tavo, ka kohë që ka nisur debati për zgjedhjen e Presidentit. Si e mendoni kreun e ri te shtetit?
Ne jemi shprehur publikisht përmes kryetarit të LSI dhe jo vetëm, që i rëndësishëm për ne është procesi i përzgjedhjes, por dhe i votimit të Presidentit të Republikës. Që do të thotë ligjshmëria, kushtetutshmëria dhe nëse është e mundur, me një konsensus sa më të gjërë. Kjo ka rëndësi për ne. Ndërsa pjesa tjetër, e emrave që qarkullojnë, është një çështje që ne mendojmë se është herët për të folur. Kur të vijë momenti forumet e LSI do mblidhen dhe do të vendosin për kandidatin për President që do të mbështesim.
Kryeministri Berisha, edhe dje në mbledhjen e grupit të PD deklaroi se është për një President të dalë nga radhët PD, pra një personalitet të rëndësishëm të PD. Do ta mbështesë LSI?
Është ende shpejt për të folur për kandidatin për President. E rëndësishme është që mazhoranca e ka numrin e nevojshëm të deputetëve për të votuar Presidentin e ri të Republikës. Duke patur parasysh atë çfarë thashë më përpara, kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë por dhe pjesën e konsensusit sa më të madh të mundshëm, në mënyrë që të gjendet një figurë e spikatur, një figurë që do të përfaqësojë me të vërtetë të gjithë shqiptarët dhe të jetë simbol i unitetit të shqiptarëve.
Zoti Nano, ish-kryetar i PS dhe ish-kryeministër socialist në ambicien e tij për t'u bërë president ka filluar takimet me liderët e partive parlamentare. Mendoni se ka shanse për mbështetje nga ana juaj?
Zoti Nano, jam shprehur dhe më parë në media, është një nga kandidatët potencialë për kandidat për President i Republikës. Por Kushtetuta e vendit tonë kërkon që, një kandidat që kërkon të vijë në Kuvend për President Republike duhet të mbështetet nga një numër minimal firmash, pra nga firmat e 20 deputetëve. Që do të thotë që zotit Nano i nevojiten, ashtu sikurse në korrik të vitit 2007, 20 firma deputetësh. Dhe e kam thënë që moralisht i takon Partisë Socialiste që të mbështesë pikësëpari zotin Nano për kandidat për President Republike, duke i dhënë jo vetëm 20 firma, por 64 firma deputetësh, aq vota pra sa ka grupi parlamentar i PS. Pastaj, është çështje e vendimmarrjes së forumeve drejtuese të LSI, të cilat që do të vendosin se për cilin kandidat do të shkojë vota e deputetëve të kësaj partie.
Mendoni se mbështetja që mund të marrë Nano nga PS për të kandiduar, mund të marrë vota dhe mund të përçajë LSI dhe mazhorancën gjatë votimit?
Paraprakisht mund të them se nuk bëhet fjalë aspak për përçarje, pasi siç e deklarova, që Presidenti i Republikës duhet të jetë simbol uniteti dhe normalisht duhet ta bashkojë politikën shqiptare dhe jo ta përçajë. Përsa i përket votave tona, është shumë shpejt për të folur për kandidatin që do të mbështesë LSI. Të rëndësishme për ne janë procedurat, ligjshmëria dhe Kushtetutshmëria. Kur të vijë momenti do vendosim se kë kandidat do të mbështesim. Shpresojmë që pas një procesi diskutimesh dhe konsultimesh do të gjendet një formulë me një kandidat që do të ketë mbështetjen më të madhe dhe që normalisht do të jetë Presidenti i ardhshëm i Republikës.
I plotëson këto kushte Fatos Nano që të jetë një kandidat konsensual për President...?
Eshtë një nga kandidatët që i plotëson kushtet për të qënë kandidat konsensual për President Republike.
(jm/im/shqiptarja.com)