TIRANE – Fatos Nano flet me gjyhën e Berishës pasi kërkon mbështetjen e tij për t’u bërë President. Pohimi vjen nga Kreu i Shtetit, Bamir Topi, gjatë një interviste televizive në emisionin Top Story të gazetarit Sokol Balla.

Duke iu referuar kritikave të Nanos në lidhje me qëndrimin e tij më 21 janar, Topi tha: “Mendova se zoti Nanon e kishte fjalën pë 14 shtatorin por e kuptoj që prononcimi i tij lidhet me një pragmatizëm konkret. Ndjej një lloj keqardhje sepse ka parafrazuar gjuhën e Berishës, për të marrë mbështetjen e tij për të qenë në krye të shtetit.”

“Më 20 janar në mbrëmje unë kam organizuar një pritje në Pallatin e Brigadave me trupin diplomatik dhe duke parë që klima politike ishte shumë e tensionuar unë kam dalë nga teksti i shkruar dhe kam bërë një apel të çastit për qetësi, apel i cili shkoi në vesh të shurdhër. Më 21 janar ndodhi ajo që ndodhi”, shpjegoi Presidenti Topi.

Duke iu referuar dëshirës së Nanos për t’u bërë president, Topi tha se “i uroj sukses ambicies së tij. Do t’i uroja që këtë garë ta përballojë me dinjitet.”

Duke qendruar po te ngjarjet e 21 Janarit Presidenti Topi deklaroi se institucionet shqiptare të drejtësisë duhet të orjentohen dhe të pranojnë ekspertizën amerikane për këtë ngjarje. “Ne duhet të orjentohemi dhë të pranojmë ekspertizën amerikane si të tillë” u shpreh ai. Por “Institucionet shqiptarë të drejtësië do kenë vendimarrjen e tyre dhe unë do respektoj verdiktin e tyre” u shpreh Topi.

PRESIDENT KONSENSUAL
"Shqipërisë i duhet një president që t’i përfaqësojë të gjithë, të mos kemi një president të një krahu. Të ruhet fryma e Kushtetutës, në kuptimin që presidenti të përfaqësojë të gjithë shqiptarët. Unë jam për një president konsensual", deklaroi Topi.

QENDRIMI NE POLITIKE
Presidenti Topi bëri të qartë se nuk do t’i rikthehet jetës akademike në përfundim të mandatit të tij, por do vazhdojë të qëndrojë në politikë. “Jeta akademike më mungon. E kam në zemër. Kujtimet e asaj jete janë të papërsëritshme” por “unë nuk i rikthehem më gjërave kur ka kaluar një kohë e gjatë”.

AMBASADORI NE LONDER
Topi foli edhe për vizitën e tij në Britani, duke i kushtuar vëmendje të veçantë mungesës së një ambasadori shqiptar në Britaninë e Madhe. Ai shpjegoi se çdo propozim sipas ligjit dhe Kushtetutës vjen nga Kryeministri dhe pasi kalon filtrin parlamentar në Komision e Politikës së Jashtme vjen për t’u dekretuar te Presidenti”. Por që pas dorëheqjes së Mazit një vit e gjysëm më parë “nuk ka asnjë propozim në tryezën e Presidentit”, sqaroi Topi. “Një përgjegjësi që ka një emër konkret që është Kryeministri”. “Të lesh pa ambasador Londrën është padyshim një mungesë përgjegjësie, ndërkohë që Britania e Madhe e zëvendësoi menjëherë ambasadorin”.

TRANSPARENCA
Presidenti i Republikës tha se “politika duhet të merret më shumë me transparencën”. Ai kritikoi opozitën që nuk shfrytëzon komisionet hetimore parlamentare në këtë drejtim. “Edhe kur ngrihen komisione hetimore parlamentare ngrihen jo nga opozita por nga mazhoranca. Ndërkohë që komisionet hetimore parlamentare janë strument i shkëlqyer i opozitës”. “Ky është defekt që unë mendoj se është evident”, tha Presidenti Topi.

SITUATA NE RAJON
Në lidhje me vizitën e tij pak kohë më parë në Maqedoni, Presidenti tha se “ishte vizita e dytë zyrtare brenda një mandati presidencial ç’ka dëshmon për marrëdhënien shumë të mirë mes dy vendeve tona. Pata takime me personalitetet më të larta të maqedonisë. U trajtuan tema mjaft interesante”.

Ndërsa në lidhje me vrasjen e 5 shtetasve maqedonas, ai tha se “nuk ka një prapavijë të karakterit etnik. [Autori], cilido qoftë ai mbetet një kriminel”.

Topi foli për “një psikozë të krijuar ditët e fundit në Maqedoni. Pashë një qytet të boshatisur”, shtoi Presidenti duke iu referuar Shkupit. Pavarësisht nga situata, “kudo që shkovam shkova pa asnjë lloj kompleksi ndaj kësaj situate”.

Duke folur më gjerë për tensionet në rajon, Kreu i Shtetit tha se “në Mitrovicën e veriut gjithmonë ka pasur një tentativë për të pasur një pushtet paralel dhe pas kësaj tentative qëndrojnë njerëz që janë marrë me botën e krimit”. Përsëri, “klima e vendeve në rajon është shumë më ndryshe se më parë”.

(im/ns/shqiptarja.com)