SARAJEVE-Presidenti Bamir Topi ndodhet sot në Bosnjë për të marrë pjesë në punimet e Samitit të 10-të të UNESCO-s të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore, që mbahet sot dhe nesër në Mostar. 

Nën drejtimin e Drejtores së Përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova Kreu i Shtetit, Bamir Topi merr pjesë në panelin “Trashëgimia fetare dhe kulturoro-historike, si bazë e bashkëpunimit intensiv ndërmjet shteteve”, në të cilin do të jenë të pranishëm krerë shtetesh të vendeve të Evropës Juglindore, si: Presidenti kroat, Ivo Josipoviç, Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov, Presidenti malazez Filip Vujanoviç, etj. Kreu i Shtetit shqiptar do t’i adresohet me një fjalim seancës plenare të Samitit, mbi vlerat e çmuara të trashëgimisë fetare dhe kulturore të Shqipërisë, vendeve fqinje e të rajonit.

Gjatë qëndrimit në Bosnje-Hercegovinë, Kryetari i Shtetit, Bamir Topi pritet të zhvillojë bisedime me Kryetarin e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç dhe me Drejtoren e Përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova. Në kuadër të pjesëmarrjes në këtë aktivitet të rëndësishëm të evidentimit të vlerave historike e kulturore të vendeve të Evropës Juglindore, Presidenti Topi, së bashku me krerët e shteteve të ftuar në Samit, do të vizitojë mjedise të veçanta turistike të Bosnje-Hercegovinës, si: kompleksin e njohur për pelegrinazh fetar në Mexhugorje, Manastirin ortodoks shekullor të Zhitomisliçit, si dhe ‘Teqenë e Dervishëve” me arkitekturë otomane në Blagaj të rajonit të Mostarit. 
(jd/shqiptarja.com)