Shtëpia e Bardhë kërkoi të premten 152 milionë dollarë për të rikthyer ishullin e burgut të Alcatrazit në detyrë aktive, duke ndjekur thirrjen e Presidentit Donald Trump vitin e kaluar për të transformuar destinacionin e njohur turistik të Gjirit të San Franciskos.

Kërkesa u përfshi në një buxhet të propozuar që Shtëpia e Bardhë publikoi për të financuar qeverinë për vitin fiskal 2027. Kërkesa të tilla për shpenzime zakonisht trajtohen nga ligjvënësit në Kongres si sugjerime.

Buxheti kërkon fonde për Byronë Federale të Burgjeve për të mbuluar kostot e vitit të parë të rindërtimit të Alcatrazit në "një burg të sigurt të teknologjisë së fundit". Ai u mbyll në vitin 1969 dhe ka qenë nën kujdesin e Shërbimit të Parqeve Kombëtare.

Në maj, Trump njoftoi në rrjetet sociale se po i jepte udhëzime Byrosë së Burgjeve, Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së dhe agjencive të tjera që të “rihapnin një ALCATRAZ të zgjeruar dhe të rindërtuar ndjeshëm, për të strehuar shkelësit më të pamëshirshëm dhe të dhunshëm të Amerikës”.

Alkatrazi, i cili u hap në vitin 1934, ishte cilësuar si burgu më i sigurt i Amerikës, duke pasur parasysh vendndodhjen e ishullit, ujërat e ftohta dhe rrymat e forta. Asnjë arratisje e suksesshme nuk është regjistruar zyrtarisht, megjithëse pesë të burgosur janë të listuar si "të zhdukur dhe të supozuar të mbytur".

Përpara mbylljes së saj, aty ishin strehuar kriminelë të famshëm si Al Capone dhe James "Ëhitey" Bulger.

Website i Byrosë së Burgjeve tregon se ai u mbyll sepse ishte shumë i kushtueshëm për të vazhduar funksionimin, duke vënë në dukje se ishte pothuajse tre herë më i kushtueshëm për t’u operuar sesa çdo burg tjetër federal.