Presidenti, votimi me zarf
sjell ngërçin mes PD e PS

Presidenti, votimi me zarf<br />sjell ngërçin mes PD e PS
TIRANE- Rregullorja e Parlamentit shqiptar ka mbetur peng i votimit për Presidentin. Socialistët të frikësuar nga precedenti “Cefa” i votimit, kanë tentuar të gjejnë mënyra të tjera për të arritur në një votim të fshehtë për kreun e shtetit, pa prekur fshehtësinë e votës së deputetëve të cilët kërkojnë të kalojnë mbështetjen e tyre për njërin apo tjetrin kandidat.

Dhe mënyra më e mirë për socialistët është përdorimi i votimit me zarf, në mënyrë që përdorimi i stilolapsit nga ana e komisionit të votimit për Presidentin të jetë i përjashtuar në mënyrë kategorike dhe deputeti të votojë pa frikën se do të dekonspirohet vota e tij. Ndërkohë që mazhoranca është shprehur kundër një votimi të tillë, duke u shprehur se janë krijuar të gjitha kushtet përmes rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës për votimin e Presidentit në mënyrë të fshehtë dhe të pandikuar.

Partia Socialiste më konkretisht propozon ndryshimin e Rregullores së Kuvendit në nenin 109, që ka të bëjë me zgjedhjen e Presidentit. Duke marrë shkas nga votimi i fundit në Parlament për anëtarin e KLD, Elvis Cefën ku opozita kishte rezerva të mëdha për leximin e votës, PS ka dalë me propozimin më të ri të saj. Kështu në mbledhjen e fundit të grupit të punës për reformën parlamentare, përfaqësuesit e opozitës, sollën propozimin për të votuar me zarf. Më konkretisht, në ditën kur Kuvendi do të votojë për Presidentin e ri të vendit, sekretariati i votimit, i cili zgjidhet nga seanca e Kuvendit me konsensus, në tryezë nuk do të ketë përpara 140 fletë votimi, por 140 zarfe, të cilat do të jenë pa firma dhe pa vula.

Disa metra më larg do jetë e ngritur dhoma e fshehtë ku deputetët do të shkojnë për të votuar për kreun e shtetit. Në dhomën e fshehtë do të jenë të printuara fletët e votimit me emrat e kandidatëve që janë në garë. E thënë më thjeshtë, nëse në garë do të jetë 4 kandidatë, në dhomën e fshehtë do të jenë të printuara nga 140 fletë votimi me emrat e secilit kandidat, ose gjithsej 560 fletë votimi. Pra çdo kandidat do ta ketë emrin të printuar në 140 fletë votimi, aq sa është numri i deputetëve. Deputeti do të shkojë në ambientin e mbyllur, do të tërheqë njërën prej fletëve të votimit me emrin përkatës, për të cilin ai ka vendosur që të votojë dhe do ta fusë në zarfin që ka marrë në komision, i cili nuk do të ketë asnjë lloj shënimi me stilolaps në të as vulë. Pas kësaj do ta hedhë në kutinë e votimit.

Me këtë mënyrë socialistët shpresojnë të kontrollojnë leximin e votave që mund t'u bëhet deputetëve të caktuar. Socialistët pretendojnë se një mënyrë e tillë votimi është e përcaktuar dhe në Rregulloren e Parlamentit Evropian, duke kërkuar të aplikohet dhe në parlamentin shqiptar përmes fiksimit në rregulloren e re duke përjashtuar tërësisht "marrëdhëniet" me stilolapsin që mund të dekonspirojë votimin e deputetëve për kandidatët preferencialë. Duke folur për këtë çështje, Kryeministri ka thënë se atë marrëveshje e ka përcaktuar Rregullorja e Parlamentit Europian dhe se do pranojë gjithçka që gjendet në këtë rregullore. Por nuk është i këtij mendimi bashkëdrejtuesi i grupit të punës, Jemin Gjana. "Ka vetëm një model, modeli i Rregullores së Parlamentit Europian. Në parim, ne s'kemi gjë kundër, mjafton që mënyra, procedura të gjendet e shkruar, nga ajo çka ne kemi para në Rregulloren e Parlamentit Europian, gjë e cila nuk është e shkruar", ka thënë Gjana.

(jm/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori