Presidentit i ‘rrëmbehen’
të gjitha dhuratat/ Ligji i ri

Presidentit i ‘rrëmbehen’<br />të gjitha dhuratat/ Ligji i ri
Komisionet e përhershme parlamentare, kryesisht Komisioni i Ligjeve dhe i Sigurisë, kanë nisur shqyrtimin e paketës së 27 ligjeve, për zbatimin në praktikë të Reformës në Drejtësi. Pjesë e kësaj pakete është edhe projektligji për Presidentin.

Për herë të parë, Parlamenti Shqiptar do të miratojë një ligj organik për kreun e shtetit, ligj i cili përcakton rregullat lidhur me pozicionin e kreut të shtetit, kriteret e përzgjedhjes, pamundësinë ne kryerjen e funksionit, procedurën e shkarkimit, ushtrimin e detyrës, statusin e tij, statusin e familjes, organizimin e brendshëm të institucionit etj.

Përpos të tjerave, neni 48 i projektligjit, parashikon që Presidenti, pas mbarimit të mandatit, nuk mund të marrë me vete asnjë dhuratë që ka marrë nga të huajit gjatë vizitave jashtë vendit apo gjatë pritjes së zyrtarëve të huaj në Shqipëri. Projektligji e detyron Presidentin të dorëzojë dhuratat e çdo lloji, duke i konsideruar këto të fundit pronë e shtetit dhe jo e kreut të shtetit. Dhuratat duhet të lihen në Presidencë, por mund ta transferohen në muze apo edhe në Bankën e Shqipërisë.

“Dhuratat e Presidentit të Republikës që janë marrë gjatë veprimtarive dhe vizitave të tij zyrtare në shtetet e huaja, si dhe dhuratat të cilat janë dhënë nga përfaqësuesit e shteteve të huaja gjatë veprimtarive dhe vizitave të tyre zyrtare në Shqipëri janë pronë e shtetit shqiptar dhe mbahen në institucionin e Presidentit të Republikës. Këto dhurata, në varësi të llojit të tyre, mund të transferohen për ruajtje në muze, ndërsa dhuratat me vlerë mbahen në Bankën e Shqipërisë”, thuhet në projektligj.

Hartimi i projektligjit 
Projektligji për Presidentin e Republikës është hartuar nga një grup pune i përbërë nga ekspertë të nivelit të lartë, këshilltarë të Gjykatës Kushtetuese, përfaqësues të opozitës si dhe nga një përfaqësuese e Presidencës, pjesë e sekretariatit teknik.

Projektligji është konsultuar dhe me një tjetër grup, në të cilin kanë marrë pjesë këshilltarë ligjorë të Presidentit, juristë, përfaqësues të Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, përfaqësues nga Banka e Shqipërisë dhe Kontrolli i Larte i Shtetit, si dhe ish-këshilltarë në Presidencë.

Heqja e privilegjeve
Në qershor të vitit të kaluar, qeveria miratoi një vendim, i cili u hiqte disa privilegje pjesëtarëve madhorë të familjes së Presidentit, ndërsa kufizonte edhe statusin e zonjës së parë, parashikuar në Ceremonialin Zyrtar të Republikës së Shqipërisë, miratuar me vendim Nr. 229, datë 23.4.2004.

Sipas ceremonialin në të mëparshëm, bashkëshortja e Presidentit gëzonte statusin e zonjës së parë të vendit, ndërsa pjesëtarët madhorë të familjes që jetonin me të gëzonin një status protokollar të barabartë me këshilltar presidenti, kurse ata që nuk bashkëjetojnë me të, të barabartë me këshilltar ministri. Në ceremonialin e ri, zonja e parë dhe pjesëtarët e familjarëve që jetojnë me të kanë një status tjetër.

“Bashkëshortja e Presidentit gëzon statusin e zonjës së parë të vendit. Ajo është personalitet publik dhe gëzon një trajtim të veçantë. Bashkëshortes së Presidentit gjithkush i drejtohet “Zonja...”, thuhet në vendim. Po ashtu, zonja e parë nuk do të lejohet që të marrë më pjesë në takimet zyrtare.


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

OKB dënon shtypjen në Venezuelë dhe mungesën e transparencës

OKB dënon shtypjen në Venezuelë dhe mungesën e transparencës