TIRANË, 26 Nëntor /ATSH/ - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka uruar nëpërmjet një mesazhi Presidentin e Republikës, Bujar Nishani me rastin e Festës së Pavarësisë.
"Me rastin e Festave të Nëntorit, të përvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në emër të institucioneve, qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju përcjell urimet më të përzemërta për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë", shkruan Jahjaga në urim.
Dita e pavarësisë, vijon Jahjaga, "shënon një nga datat më të rëndësishme, një kurorëzim i përpjekjeve shekullore të popullit për të qenë i lirë dhe i barabartë, zot i fatit dhe i ndërtimit të ardhmërisë së vet, në miqësi dhe në bashkëpunim me popujt e tjerë, si faktor domethënës paqeje dhe stabiliteti në këtë pjesë të Evropës".
"Republika e Shqipërisë është sot një vend demokratik, anëtar i NATO-s, e suksesshme në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, kontribuese e rëndësishme e marrëdhënieve të mira fqinjësore, promovuese e vlerave të paqes, të bashkëpunimit e të ndihmës së ndërsjelltë ndërmjet vendeve dhe popujve", thekson Jahjaga.
"Marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës janë një shembull i mirë i bashkëpunimit të gjithanshëm, frytdhënës, konstruktiv e të sinqertë në të gjitha fushat, kontribues në përparimin, zhvillimin e rritjen e mirëqenies së të gjithë qytetarëve të vendeve tona", thuhet në urimin e Presidentes Jahjaga. /gj.m//m.m/









