Presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet që sot në orën 16:00 t’ia dorëzojë zyrtarisht detyrën kryeparlamentares, Albulena Haxhiu.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Zyra e Presidentes. Sipas njoftimit, ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës do të mbahet në Kabinetin e Presidentes.
Osmani, e cila mori detyrën pesë vite më parë me përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk arriti të sigurojë një mandat të dytë, ndonëse kishte shprehur publikisht dëshirën për ta vazhduar atë.

Lajmi në përditësim...
Presidentja Vjosa Osmani, e cila sot do ta dorëzojë detyrën, ka ndarë pamje nga një pritje që ka bërë presidenca, duke thënë se në 5 vitet e mandatit të saj ka pasur ‘’sfida nga më të ndryshmet’’.
Osmani, ka deklaruar edhe se besimi i saj ka qenë i qartë, që, Kosova është më e fortë brenda ku hap dyer jashtë.
“Fillimi i këtij mandati erdhi në rrethana sfiduese, dhe rrugëtimi deri sot ka pasur po ashtu sfida nga më të ndryshmet. Besimi im ka qenë gjithmonë i qartë, një Kosovë që hap dyer jashtë është gjithnjë e më e fortë edhe brenda”, ka thënë Osmani.
Në videon e ndarë të Osmanit, shihen se në pritjen e organizuar nga Presidenca, kanë qenë të pranishëm figura të ndryshme, si ambasadorë, politikanë e personalitete të tjera. Megjithatë, në videon e ndarë, nuk shihet i pranishëm askush nga Lëvizja Vetëvendosje.
Postimi i plotë:
Këto pesë vite nuk kanë qenë historia e një njeriu të vetëm. Kanë qenë rrugëtimi ynë i përbashkët.
Me njerëz nga çdo fushë, që besuan në Kosovën. Që punuan, kontribuuan dhe shtynë përpara ide e mundësi për qytetarët tanë.
Faleminderit që qëndruat me ne e për Kosovën tonë të përjetshme.
Komente










