Një person u arrestua nga Zyra e hetimit të Krimeve ndaj Personit në Policinë e Tiranës, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim me akuzën e shtrëngimit me dhunë për dhënie pasurie. Erjon Benga, 21 vjeç dhe një mik i tij i identifikuar nga policia me inicialet A. S, 25 vjeç, akuzohen së në bashkëpunim kanë shantazhuar një vajzë 21 vjeçare nëpërmjet një videoje intime.

Ndërsa e kërcënonin se do t’i publikonin videon, personat mësohet se i kanë kërkuar adoleshentes një shumë parash prej 2 mijë eurosh.

Ngjarja mësohet se ka ndodhur javën e kaluar në Tiranë, kur personat i kanë treguar vajzës videon që posedonin ndërsa i kanë kërkuar asaj shumën e parave. Fillimisht mësohet se vajza, emri i së cilës nuk bëhet i ditur, ka tentuar të negociojë me personat. Ata nuk kanë pranuar asgjë tejtër vetëm se të marrin pagesën që kërkonin.

Në këto rrethana e dëmtuara mësohet se e dëmtuara ka njoftuar në policinë e Tiranës e cila ka nisur hetimet. Pas veprimeve të saj, policia arrestoi në flagrancë Bengën, ndërsa bashkëpunëtori i tij u shpall në kërkim. Dosja ndaj dy personave tashmë është përcejllë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për hetim.

Redaksia Online
Shqiptarja.com