Të shtunën luhen 3 nga 5 ndeshjet e javës së 19 të Superligës ku padiskutim spikat supersfida mes kampionëve të Teutës dhe Partizanit, që këtë sezon po has shumë ulje ngritje. Të kuqtë aktualisht rrezikojnë vendin e pestë në renditje dhe situata ka ulur optimizmin.
“Presioni më pëlqen sepse më detyron që të jap maksimumin dhe më motivon që të bëj më shumë e të kërkoj më tepër. E kemi vlerësuar siç duhet Teutën dhe do japim maksimumin jo vetëm për të ngritur nivelin e lojës, por edhe të kërkojmë rezultatin me ngulm,”-u shpreh Dritan Mehmeti, trajner i Partizanit.
Sakaq Tirana, kryesuesja e kampionatit me një diferencë prej 6 pikësh me ndjekësit dhe që sëfundmi shkatërroi 4-0 Kukësin, luan në transfertë me Skënderbeun, skuadrën që shpreson të mbijetojë në Superligë.
“Grupi që ne kemi në skuadër janë lojtarë që janë të vetëdijshëm për këto situata dhe besoj që euforia nuk ekziston. Futbollistët e dinë mirë që pas një ndeshje të mirë pastaj mund të humbasësh dhe për këtë nuk besoj se euforia ka vend në skuadrën tonë për momentin,”-tha Erbim Fagu, zv/trajner i Tiranës.
Ndeshja tjetër e së shtunës luhet në Kamzë mes Kastriotit dhe Dinamos.