Presioni, PD drejt zgjedhjeve
pa kushte, ja katër mesazhet

Presioni, PD drejt zgjedhjeve<br />pa kushte, ja katër mesazhet
Në muajin e dytë të protestës me turne para Kryeministrisë, me qëllim rrëzimin e qeverisë “Rama” dhe krijimin e një qeverie të përbashkët, Partia Demokratike ka modifikuar strategjinë politike, sidomos në raport me zgjedhjet e 18 Qershorit.

Pavarësisht retorikës politike dhe deklaratave përbetuese, krerët e partisë kryesore në opozitë, ditët e fundit, kanë dhënë disa sinjale të qarta politike, që konfirmojnë planin për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare, pavarësisht plotësimit të kushtit për krijimin e një qeverie teknike.

Krahas përbetimeve se nuk do të ketë zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, në prapaskenë, demokratët kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet e 18 Qershorit, duke ndjekur një taktikë të dyfishtë. Kthesa e kamufluar e Sali Berisha dhe Lulzim Bashës vjen në kushtet kur kryeministri Edi Rama është i vendosur për të shkuar në zgjedhje edhe pa opozitën, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur qartë kundër qeverisë teknike.

Megjithatë, rol kyç në tërheqjen e opozitën duket se ka luajtur presioni i papërballueshëm ndërkombëtar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partia e Angela Merkel, misioni i OSBE në Tiranë, eurodeputetë, delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian Knut Fleckenstein etj., janë pozicionuar qartë kundër bojkotit të Kuvendit dhe zgjedhjeve parlamentare.

Mesazhi i parë
Në datën 20 mars, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, foli për herë të parë, pas disa javësh, për përbërjen e listës së kandidatëve për deputetë të opozitës.

Basha përsëriti premtimin se një e treta e kandidatëve të PD do të jenë të rinj dhe të reja, duke paralajmëruar në një farë mënyre pjesëmarrjen në zgjedhje, në kushtet kur shumica në pushtet ka hedhur poshtë opsionin e qeverisë teknike.

“Dhe sa më takon mua, një e treta e kandidatëve të PD, në zgjedhjet e lira dhe të ndershme që do ti paraprijnë Republikës së Re do të jeni ju të rinj e të reja të PD, të rinj e të reja shqiptarë. Asgjë nuk ju mungon”, ka deklaruar Berisha.

Mesazhi i dytë
Një ditë më pas, pra në 21 mars, ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim në zyrën e tij me ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu.

Kryefjala e takimit ishte bojkoti i Kuvendit si dhe paralajmërimi për bllokimin e zgjedhjeve nga opozita. Pas takimit, me anë të një njoftimi, Sali Berisha renditi të gjitha kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Për herë të parë, kushti për krijimin e një qeverie teknike nuk përfshihej në listën e kërkesave që Berisha ia kishte paraqitur ambasadorit Lu. Një ditë më pas, ish-kryeministri Berisha e mohoi tërheqjen nga një kusht i tillë, por referuar njoftimit, qeveria teknike nuk ka qenë pjesë e diskutimit.

Mesazhi i tretë
Në datën 25 mars, pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lulzim Basha, u shpreh se ekipi fitues i Trump do të mbështeste Partinë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme.

“Mesazhi i tretë, është mesazhi i mbështetjes totale të miqve tanë! Mbështetjes politike, mbështetjes parimore dhe morale dhe po, mbështetjes së gjithanshme për Partinë Demokratike të Shqipërisë, nga ekipi fitues i Presidentit Trump, jo vetëm për këtë betejë, por edhe për zgjedhjet që do të vijnë, për zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Basha.

Mesazhi i katërt
Gjatë datave të 26 dhe 27 mars, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbledhur grupin parlamentar demokrat, Kryesinë e PD dhe krerët e degëve të Partisë Demokratike.

Gjatë këtyre mbledhjeve është zyrtarizuar edhe ndryshimi i aksionit politik, sidomos në raport me zgjedhjet. Konkretisht është vendosur për të vijuar protestën dhe bojkotin e Kuvendit, por në të njëjtën kohë, deputetët dhe krerët e degëve janë udhëzuar që të nisin përgatitjet për zgjedhjet, me argumentin se kushti për krijimin e qeverisë teknike së shpejti do të kthehet në një realitet politik.

Shqiptarja.com ka mësuar se Lulzim Basha ka deklaruar se nuk do të ketë zgjedhjet pa qeveri teknike, por ai u ka kërkuar deputetëve dhe krerëve të degëve të mobilizojnë elektoratin për zgjedhje, pasi sipas tij, kërkesa e opozitës do të realizohet.
 
Çadra e PD, mbledhje për punësimin
Dhjetëra të rinj dhe të reja, gjimnazistë dhe studentë dhe të sapodiplomuar folën dje në çadrën e Partisë Demokratike për mungesën e mundësive dhe punësimit. Sipas PD, Mungesa e meritokracisë për studentët fillon nga bankat e shkollës e deri tek tregu i punës.

“Të rinjtë theksuan se nuk ndihen të lirë, pasi përzgjedhja e shkollës që ndjekin, punës që bëjnë apo edhe vetë përfaqësuesve të tyre nuk është e tillë. Reforma në arsimin e lartë zvogëloi mundësinë e studentëve për të vazhduar shkollimin në degën e përzgjedhur prej tyre.

Qindra nxënës për shkak të pamundësisë financiare, të tjerë prej frikës nuk arritën të fitonin degët e preferuara në Universitetet Publike. Ata të cilët arritën të fitonin studimet e larta në shtet, u përballën me tarifat e trefishuara të edukimit. Të vetmit përfitues nga formula arsimore “Rama – Nikolla” ishin Universitetet private të cilët faturuan shtrenjtë ëndrrat e studentëve shqiptarë”, pretendon opozita. PD nuk ka harrur të përsërisë kërkesën për qeveri teknike.

“Ata bënë thirrje që çdo gjimnazist, student apo i ri i cili nuk është më i lirë të zgjedhë për veten e tij, ti bashkohet qëndresës popullore për një Republikë të Re ku pushteti kthehet në duart e njerëzve dhe paratë e taksapaguesve në investim për rininë. Kjo mund të arrihet vetëm përmes  zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të një qeverie teknike”, thuhet në njoftimin e PD. 


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Trump: Akuzat penale ndaj meje ishin rrëmbim politik, demokratët shpërdoruan taksat e amerikanëve për të goditur

Trump: Akuzat penale ndaj meje ishin rrëmbim politik, demokratët shpërdoruan taksat e amerikanëve për të goditur