'Kuptimi i drejtësisë', ‘Elektroshok’ nga profesor Ardian Ndreca

Në Report Tv u transmetua emisioni i radhës i ‘Elektroshok’ nga profesor Ardian Ndreca, me temë 'Kuptimi i drejtësisë'.

Plutarku tek “Jetë paralele” riprodhon një dialog të Solonit ku shtjellohet efikasiteti shoqëror i ligjeve: njerëzit i respektojnë ligjet kur e shohin se nuk u leverdis t’i cënojnë ato e unë do t’i harmonizoj ligjet në mënyrë të atillë që të gjithë ta shohin qartë se duke jetuar nën pushtetin e tyre do të jetë në dobinë e të dobtëve dhe të atyre që janë të fuqishëm.

Drejtësia është rregullimi i jetës njerëzore sipas ligjeve. Për të bërë ligjet kontribuojnë juristët dhe në sistemin demokratik kjo detyrë i përket parlamentit. Në këtë sens jeta parlamentare shpreh aktivitetin e epërm politik të bashkësisë qytetare. Ligji kalon nëpërmjet një procesi që ka shumë hallka dhe nganjëherë ndodh që mangësitë jo thjesht formale të ligjeve të rrjedhin nga ndikimi që interesa heterogjene që ushtrohen gjatë procesit në fjalë të çekuilibrojnë frymën e tyre.

Në kohët moderne magjistrati dhe legjislatori janë veshur me prerogativa të ndryshme në lidhje me ligjin dhe kjo ndarje ka forcuar jetën e bashkësisë qytetare. Të gjithë i nënshtrohen forcës së ligjit dhe tutorët e tij ndërhyjnë atëherë kur dikush nuk e respekton atë. Të respektosh ligjin do të thotë ta njohësh atë si formë dhe si autoritet. Nga ana tjetër të injorosh ligjin nuk përbën një alibi apo justifikim para tutorëve të sistemit të drejtësisë të cilët ngjasojnë me mjekun: ndërhyjnë aty ku ka një sëmundje, kjo është edhe arsyeja që qytetari duhet të ketë njohuritë elementare të higjienës dhe profilaksisë ndaj së çdo akti antiligjor. Kjo nevojë duhet të përkthehet në mësimin e njohurive elementare dhe në një formim juridik duke filluar që në shkollat e nivelit të mesëm.

Megjithatë nuk mjafton të njohësh ligjin, duhet sidomos ta pranojmë atë si një obligim universal në mjedisin e jetës së përbashkët. Shkeljet e ligjit që na revoltojnë më shumë janë ato të parlamentarëve dhe të magjistratëve, pikërisht për rolin që ata kanë në formimin dhe të tutelën e ligjeve.

Siç e dijmë tek ne procesi i “vettingut” ka qenë një elektroshok për sistemin e drejtësisë i cili është shfaqur përpara atij procesi si një sistem i kalbur dhe jo i përshtatshëm për mbarështrimin e drejtësisë.

Që në antikitet njerëzit janë përpjekur të shpëtojnë sistemin e drejtësisë duke u munduar të gjejnë mjetet e duhura për të ruajtur njerëzit e drejtësisë nga cënimi i ligjit: kemi vendosur roje por nuk e dijmë se kush do t’i ruaj rojet tona, shprehej poeti romak Juvenali.

Ligji mbron bashkëjetesën tonë në shoqëri. Një pjesë e madhe e ligjeve kanë natyrë pozitive dhe ndryshojnë në kohë apo edhe mund të abrogohen fare, pse forca e tyre buron nga kontrata sociale që na mban bashkë. Ka ligje të tjera që i paraprijnë çdo kontrate dhe vlejnë edhe në mungesë të saj pasi shkelja e tyre nuk kërkon një diskutim të çfarëdolloj natyre për t’u njohur si e tillë, për shembull: mos vrit, mos vidh, mos gënje janë parime në bazë të çdo ligjëshmërie në çdo kohë e në çdo sistem. Në të dyja rastet ndërgjegja jonë mbetet gjykatorja më e lartë para së cilës shfaqemi çdo çast për aq sa kohë sa mbetemi njerëz mes njerëzish.

Për ata që e përbuzin drejtësinë dhe veprojnë kundër saj në mënyrë sistematike çdo individ që me jetën e vet dëshmon ndjeshmëri ndaj ligjit kthehet në një akuzues të heshtur ndaj tyre.

Nganjëherë ajo që sundon në shoqëri është vetëm hija e ligjit dhe jo thelbi i tij.

Ligji ka vërtetë kuptim vetëm nëse buron prej nesh ashtu siç ka buruar nga mendja e legjislatorit dhe me po atë frymë e me po atë forcë në shërbim të bashkësisë dhe jo kundër individit. Në këtë sens ligji është diafragma që i mundëson njerëzve të jetojnë së bashku në shoqëri duke shmangur konfiktet dhe duke u rritur dhe përmirësuar si qenje. Nuk kemi mjete tjera për të jetuar së bashku, prandaj një vend që ka privilegjin të qeveriset me ligje është një vend i qytetëruar.

“Elektroshok” është emisioni i profesor Ardian Ndrecës që vjen çdo të premte ora 22:00 në ekranin e Report Tv. Përmes një hapësire televizive prej 13 minutash profesori i historisë së filozofisë moderne synon të ndezë një shkëndijë refleksioni tek audienca, shoqëria shqiptare.

SI.E./E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës