Pak kaloi dhe pas deklaratës së kreut të Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj, i drejtoi një kërkesë atij për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për kërcënimet që ai pretendon se i janë bërë nga kryeministri Edi Rama, përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogut, që e vizitoi në burg.
Veliaj thotë përmes një reagimi në rrjetet sociale se ka kërkuar të hetohet nëse transferimi i tij nga paraburgimi i Durrësit në Fier është përdorur si instrument presioni nga Rama, për ta detyruar të pranojë organizimin e protestave në Tiranë dhe të jap dorëheqjen nga mandati i kryebashkiakut të Tiranës
“Jam i gatshëm të dëshmoj nën betim përpara Kuvendit, të ballafaqohem me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe të paraqes çdo provë që disponoj. Kam kërkuar gjithashtu që Kryeministri Edi Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje”, thotë mes të tjerash Veliaj, i cili thekson më tej se për kërkesën e tij ka vënë në dijeni edhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri.
Mes të tjerash, Veliaj ka kërkuar që Kuvendi të ushtrojë funksionin e tij kushtetues të kontrollit mbi pushtetin ekzekutiv. Ai thekson se përkatësia në të njëjtën shumicë politike me Kryeministrin Edi Rama nuk duhet të pengojë kontrollin parlamentar dhe hetimin e veprimeve që ai ia atribuon kreut të qeverisë.
"Këtë kërkesë ia drejtoj Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste jo për të kërkuar mbrojtje politike, por për të kërkuar ushtrimin e një funksioni themelor kushtetues të Kuvendit: kontrollin e pushtetit ekzekutiv. Përkatësia në të njëjtën shumicë politike me Kryeministrin nuk e kufizon këtë përgjegjësi dhe as mund të shërbejë si arsye për të shmangur hetimin e veprimeve që i atribuohen atij. Përkundrazi, kontrolli parlamentar duhet të ushtrohet pavarësisht se cila forcë politike drejton qeverinë", thuhet në kërkesë.
Veliaj i referohet edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë. Ai pretendon se kërkesa për dorëheqje, e përcjellë nga ministri i Drejtësisë Toni Gogu në emër të Kryeministrit, përbën vazhdimësi të të njëjtit objektiv politik (pra të shkarkimit të tij) përmes mjeteve të tjera.
“Këto zhvillime duhen shqyrtuar edhe në lidhje me përpjekjen e mëparshme të Kryeministrit për ndërprerjen e mandatit tim. Me vendimin nr. 66, datë 3 nëntor 2025, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin tim nga detyra e Kryetarit të Bashkisë Tiranë. Kërkesa për dorëheqje, që Ministri i Drejtësisë deklaroi se ma përcillte në emër të Kryeministrit Edi Rama, fakton vazhdimësinë e të njëjtit objektiv politik përmes mjeteve të tjera. Çështja që duhet të hetojë Kuvendi është nëse, pasi rruga institucionale e shkarkimit u mbyll nga Gjykata Kushtetuese, Kryeministri ka përdorur autoritetin e tij mbi ekzekutivin dhe administratën penitenciare për të arritur, nëpërmjet shantazhit për dorëheqje, rezultatin që nuk mundi ta realizonte me vendim qeverie, neutralizimin tim politik”, thuhet në kërkesë.
Në këtë kuadër, Veliaj kërkon gjithashtu që Kuvendi të hetojë nëse autoriteti i kryeministrit mbi ekzekutivin dhe administratën penitenciare është përdorur për të ushtruar presion ndaj tij dhe për të arritur neutralizimin e tij politik.
Një pikë e rëndësishme e kërkesës lidhet me ruajtjen e menjëhershme të të gjitha provave materiale, dokumentare, elektronike dhe audiovizive që kanë të bëjnë me transferimin e tij nga IEVP Durrës në IEVP Fier, më 28 tetor 2026, si dhe me vizitën e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, në burgun e Fierit, më 30 tetor 2026.
Deklaratë e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj:
Sot i jam drejtuar zyrtarisht Kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, me kërkesën për inicimin e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar mbi ndërhyrjet dhe kërcënimet që kam deklaruar se janë ushtruar ndaj meje nga Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë.
Kam kërkuar të hetohet nëse transferimi im nga Durrësi në Fier dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si instrumente presioni për të më detyruar të pranoj organizimin e protestave në Tiranë dhe të jap dorëheqjen nga mandati që më kanë besuar qytetarët e kryeqytetit.
Jam i gatshëm të dëshmoj nën betim përpara Kuvendit, sipas ligjit, të ballafaqohem me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe të paraqes çdo provë që disponoj. Kam kërkuar gjithashtu që Kryeministri Edi Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje.
Kërkesën ia kam drejtuar shumicës parlamentare të partisë sime, sepse kontrolli kushtetues mbi qeverinë nuk mund të kushtëzohet nga përkatësia politike e atyre që duhet të japin llogari.
Kam vënë në dijeni edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës dhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, si dhe kam kërkuar ruajtjen e menjëhershme të provave dokumentare dhe audiovizive.
Nuk kërkoj që Kuvendi t’i marrë si të mirëqena deklarimet e mia. Kërkoj që t’i hetojë. Mandati i një kryetari bashkie buron nga vota e qytetarëve dhe vota e qytetarëve nuk mund të bëhet objekt shantazhi politik.

Kliko këtu per të lexuar kërkesën e plotë







Komente
Komento