Partizani ka prezantuar tre afrimet e reja në merkato, Shpëtim Duron që do të drejtojë ekipin për tre edicionet e ardhshme dhe futbollistët Arbnor Fejzullahu e Bathën.Në fjalën e tij Demi u shpreh se “ Viti që sapo u mbyll nuk na rezultoi i suksesshëm  ashtu sikurse dëshiruam. Gjithmonë faj ka diku, dhe këtë gjë e pranoj duke u nisur nga vetja i pari dhe nga i gjithë stafi drejtues i Partizanit. Në kampionatin e kaluar nuk donim të bëhëshim pjesë e lojrave të ndryshme.

Është një eksperiecë e parë për mua si viti i parë në krye të një Klubi futbolli. Tashmë duhet të flasim për të përmirësuar gjithçka. Kemi arritur marrëveshjen me Shpëtim Duron, ai do të jetë trajner i të kuqve dhe njëkohësisht menaxher-trajner i Partizanit. Nuk do të ketë më drejtor teknik dhe trajner, por do të jetë vetëm njëri. I uroj Duros suksese për kthimin në shtëpi dhe për një skuadër siç i ka hije klubit dhe historisë së tij” deklaroi ai.

Ndërsa Duro në fjalën e tij u shpreh se po merrte një përgjegjësi të madhe mbi supe, pasi nga ky moment do të jetë ai “Gaz Demi” i Partizanit. “Nga ky moment, në mënyrë figurative do të jem unë Gaz Demi i Partizanit. Është një përgjegjësi e madhe, pasi duhet të ndërtojmë një ekip pretendent që do të kërkojë të fitojë kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë”.

Më tej Duro lëshoi edhe ‘bombën’ e parë vetëm pak momente pasi firmosi kontratën duke deklaruar se ekipi ndodhet në “vitin zero” pasi futbollistët që nuk përshtaten me idetë e tij edhe nëse kanë rinovuar duhet të mendojnë për të luajtur me një tjetër ekip. “Kam parë që klubi ka rikonfirmuar një pjesë të mirë të lojtarëve që mbyllën sezonin, por për mua nuk është rikonfirmuar asgjë. Ka lojtarë që nuk u përshtaten ideve të mia, ndaj është më mirë që ata të luajnë në një ekip tjetër” tha ai.


d.b/shqiptarja.com