TIRANE - Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit ka prezantuar strategjinë 2014 – 2020 për zhvillimin e këtij sektori. Ministrja Eglantina Gjermeni tha se projekti, që ende nuk ka përfunduar, synon rimëkëmbjen e këtij sektori dhe kthimin e tij në një nga zërat më me peshë përsa i përket rritjes ekonomike të vendit.

Sipas Gjermenit, do të ketë ndryshime në ligjin për “Turizmin në Republikën e Shqipërisë” me qëllim luftën ndaj informalitetit në sektor. Sipas strategjisë së zhvillimit të turizmit, synohet që kontributi i këtij sektori në PBB brenda vitit 2020 të arrijë në 6.1% nga 4.8% që është aktualisht.

Ndërsa, përsa i përket numrit të të punësuarve direkt në këtë industri, pritet të arrijë në 61 mijë, nga 41 mijë që është aktualisht. Ndërkohë, dje në terminalin e portit të Sarandës ka mbërritur dje grupi i parë i turistëve suedezë, që këtë verë do të jenë me fluks të shtuar për të pushuar në brigjet e Sarandës.

Mbërritja e tyre në Sarandë u realizua pas fluturimit mme avionë carter në linjën Stokholm- Korfuz, ku kanë qëndruar vetëm pak minuta, pasi destinacioni i tyre turistik është Saranda.

Në portin e Sarandës u organizua pritja e tyre zyrtare, ku kanë marrë pjesë autoritete portuale, kryebashkiaku i Sarandës Stefan Çipa, drejtorja e agjencisë kombëtare të turizmit, Julinda Dhame etj. Turistët suedezë kanë prenotuar 6 ndër hotelet më të mira të Sarandës, me tendencën që në verë numri i tyre të shtohet dukshëm. Turi i tyre nisi më 26 maj dhe do të vijojë deri në fillimin e muajit tetor.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës Shqiptarja.com, versioni print

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)