Fermerët tashmë mund t’i drejtohen për ndihmë asistentit të parë virtual, “Yllit”. Ylli, i cili funksionon përmes Inteligjencës Artificiale, ofron asistencë në kohë reale dhe orientim.

Ai është i integruar në Portalin e Fermerit, platformë ku të gjithë fermerët mund të:

-të aplikojnë online për skemat mbështetëse,

-të aksesojnë informacion agronomik lidhur me pesticidet, përdorimin e plehrave kimike, ujitje etj.,

-të kontrollojnë parcelat bazuar në dhënat meteorologjike, intensitetin e rreshjeve, temperaturat, si kur dhe çfarë ne duhet të bëjmë për të parandaluar në kohë qoftë përmbytjet, qoftë dhe fatkeqësitë e tjera natyrore, në kohë reale duke i orientuar fermerët në një kohë të shpejtë pranë portalit të cilin ne po aplikojmë për ta pasuar çdo fermer.

-të marrin orientim për tregun.

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, bëri me dije se ky transformim do të shoqërohet edhe me publikimin e informacioneve të nevojshme në nivel kombëtar.

“Ky transformim nuk do të jetë i vetëm. Në kohë reale do të publikojmë edhe çmimet e tregjeve, si dhe të gjithë informacionin dhe produktet për të cilat fermerët kanë nevojë. Përmes aplikacionit, ata do të mund të orientohen, të bashkëbisedojnë me njëri-tjetrin dhe të marrin çdo informacion të nevojshëm në nivel kombëtar”, tha Salla.

Në fund, ministri e vendosi fokusin te përfshirja e të rinjve në bujqësi përmes start up-ve, inovacionit dhe teknologjisë për ta kthyer sektorin në mundësi ekonomike.