Shqipëria është bërë pjesë e projektit të ri të Bashkimit Europian “EU4IP – Ballkani Perëndimor”, një nismë që synon forcimin e sistemit të pronësisë intelektuale dhe afrimin e vendeve të rajonit me standardet europiane në këtë fushë.
Programi u lançua zyrtarisht në bashkëpunim mes Bashkimit Europian, Zyrës së Pronësisë Intelektuale të Bashkimit Europian (EUIPO) dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, si edhe Republikës së Moldavisë. Projekti synon të mbështesë harmonizimin e legjislacionit, institucioneve dhe praktikave me standardet e BE-së, duke krijuar kushte më të mira për inovacionin, investimet dhe zhvillimin ekonomik.
Nisma vjen në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, ndërsa vendi vijon negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe synon të forcojë mbrojtjen e markave tregtare, patentave, dizajneve industriale dhe të drejtave të autorit.
Drejtoresha e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, Maria Solis Kapedani, e cilësoi projektin si një mundësi të rëndësishme për modernizimin e sistemit shqiptar të pronësisë intelektuale.
"Mirëpresim projektin EU4IP-WB si një hap të rëndësishëm për forcimin e ekosistemit të pronësisë intelektuale në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin. Një sistem modern dhe efikas i mbrojtjes së pronësisë intelektuale është thelbësor për zhvillimin e inovacionit, rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve dhe afrimin e vendit me standardet europiane," u shpreh Kapedani.
Përmes këtij projekti, institucionet shqiptare do të përfitojnë asistencë teknike, shkëmbim ekspertize dhe mbështetje për harmonizimin e mëtejshëm me acquis communautaire në fushën e pronësisë intelektuale.
Sipas Bashkimit Evropian, sistemet e forta të pronësisë intelektuale janë një nga shtyllat kryesore të ekonomive moderne, pasi mbrojnë krijimtarinë, shpikjet dhe markat, duke nxitur investimet dhe zhvillimin e sipërmarrjes.
Drejtori Ekzekutiv i EUIPO-s, João Negrão, theksoi se një sistem i fortë i pronësisë intelektuale përbën bazën e një shoqërie më inovative dhe më të begatë.
Projekti “EU4IP – Ballkani Perëndimor” konsiderohet gjithashtu një instrument konkret i mbështetjes së Bashkimit Evropian për procesin e zgjerimit, duke ndihmuar vendet partnere të afrohen me tregun e përbashkët europian dhe standardet e tij.
Për Shqipërinë, kjo nismë pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e klimës së biznesit, mbrojtjen e investitorëve, promovimin e inovacionit dhe rritjen e besimit të kompanive që operojnë në treg.
Komente




