TIRANE-  Si e shikoni kandidaturën e maxhorancës për president me emrin e Xhezair Zaganjorit?
Më duket kandidaturë e mirë për sa i përket eksperiencës, por ka defektin që nuk është konsensual. Kemi detyrim përpara partnerëve ndërkombëtarë, por edhe përpara zgjedhësve tanë që të mos frenojmë integrimin me një kandidaturë jo konsensuale për President. Unë për Zaganjorin kam dëgjuar vleresime nga të tjerët, sepse nuk kam njohje personale.

Ju në parlament do ta jepnit votën për Zaganjorin edhe nëse PS nuk bie dakord me këtë kandidat dhe shkohet në raundin e katert kur duhen vetëm 71 vota?
Une nuk jap votë për asnjë kandidat që nuk është konsensual, sepse në këtë mënyrë do dëmtoja Shqipërinë dhe të ardhmen e votuesve të mi.

Mund të priten zgjedhje të parakohshme nëse Meta nuk pranon ta votojë Zaganjorin si kandidaturë konsensuale të maxhorancës?
Jo, nuk besoj.

Si priten të zhvillohen raundet në vazhdim?
Unë shoh se kanë filluar që të shkëmbehen mesazhe mes opozitës dhe maxhorancës në tentative për të gjetur konsensus. Shpresoj shumë që të gjendet konsensusi. Megjithate kjo mënyrë për të zgjedhur kreun e shtetit më duket e papërshtatshme.

Ju thoni se po qarkullojnë emra, por në publik nuk ka dalë asnjë emër. Cilat janë emrat që kanë qarkulluar?
Deri sa ata që i qarkullojnë nuk i kanë nxjerrë, nuk më takon mua t'i nxjerr këta emra. Mund të them se tashmë po flitet vetëm për emra që kanë eksperiencë juridike, dhe kanë dalë jashtë loje politikanët apo diplomatët. Emrat që diskutohen janë vetëm juristë, gjyqtarë, profesorë juridiku apo avokatë. Janë gra dhe burra të nderuar.

Ju mendoni se mund të kemi një grua Presidente?
Une do doja shumë të kishim një grua Presidente, dhe dje është diskutuar edhe për kandidatura gra.

Çfarë do preferonit si cilësi shtesë të Presidentit të ardhshëm?
Figura që do zgjidhet duhet të garantojë unitetin kombëtar dhe pavarësinë e institucioneve. Unë do preferoja një personalitet publik që të vinte nga jugu ose Shqipëria e Mesme. Një president nga veriu mund të ngjallte dyshime të pamerituara për atë figurë, meqe Kryeministri dhe Kryetarja e Kuvendit janë nga veriu. Une nuk kam paragjykime personale, sepse bashkeshorten time e kam zgjedhur nga veriu, por mendoj se do ishte një paragjykim i pashmangshëm për Presidentin e ri.

Ka disa komente që edhe gjyqi ndaj jush në Gjykatën e Lartë zgjatet për shkak të një presioni që ju bëhet juve për votën për Presidentin. E vërtetë?
E kam dëgjuar edhe unë këtë gjë. T'ju them të drejtën këto lloj komentesh në këtë kohë janë të dëmshme për mua. Çështjen e gjyqit ja kam lënë në dorë avokatit tim. Unë jam i qetë se sado që të zgjasë kjo histori, e vërteta do dalë në shesh. Seancen e kaluar u njoftova nga avokati se Prokuroria kishte deklaruar në gjyq zyrtarisht se nuk ka asnjë deshmitar të vetëm që t'i provojë atyre akuzën, përvec videos që kam bërë une. Video nuk ka asnjë fakt kundër meje, përveç se procedurialisht është marrë në shkelje të ligjit dhe akustikisht është e padëgjueshme në mbi 70% të saj. Unë s'kam ndërmend të akuzoj askënd për përdorim politik, por do pres me qetësi çdo seancë dhe do analizoj çdo gjë pasi kjo histori të jetë mbyllur.