TIRANE - “Si ish-ministër i Energjetikës jam i gatshëm të dëshmojë që qeveria shqiptare të fitoj arbitrazhin në Vienë. Marrëveshja midis CEZ e kompanisë DIA ka qenë korruptive e përkrahur politikisht nga kreu i parlamentit Ilir Meta. Kjo është deklarata e Dritan Priftit pak çaste pasi ai mbaroi dëshminë në Policinë e Tiranës në lidhje me letrën e deputetit Spartak Braho.

...
Ish-ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës Dritan Prifti u mor në pyetje përreth tre orë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës në kuadër të verifikimeve që kanë nisur për letrën që kreu i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho i flet krerëve të shtetit për një plan destabiliteti në vend të përgatitur nga Dritan Prifti dhe Tom Doshi kundër Ilir Metës. Në një deklaratë për gazetarët menjëherë pas dëshmisë, Prifti tha se jo vetëm që nuk e ka kërcënuar bashkëshorten e Kastriot Ismailajt, administratorit të kompanisë DIA që do mblidhte borxhet ndaj CEZ, por as që e njeh atë. Ish-politikani vijoi me akuzat kundër kryeparlamentarit Meta, duke thënë se nga kontrata me DIA-n kanë përfituar njerëz të afërt të tij. Prifti deklaroi gjithashtu se nëse do të kërkohej ndihma e tij, është i gatshëm që të dëshmojë pro qeverisë ne arbitrazh kunder DIA-s. 

“Sqarova në polici që unë nuk e kam takuar dhe nuk e njoh bashkëshorten e Ismailajt. Po ashtu sqarova që edhe Kastriotin duhet të kem 10 apo 12 vjet pa e parë dhe takuar. S’kam biseduar kurrë me asnjë në lidhje me arbitrazhin. Bile nëse qeveria dëshiron që të jem dhe unë dëshmitar në krah të qeverisë kunder DIA-s për arbitrazhin jam i gatshëm që ta ndihmoj qeverinë. Jam i bindur që kontratat mes CEZ dhe DIA ishte kontratë korruptive e ndikuar nga Ilir Meta. Kam thënë që para nga DIA kanë shkuar të miq të afërm të Metës, botërisht të njohur sepse është një biznes në Durrës, të cilës nuk ia ka përmend asnjë media emrin dhe kuptohet se pse”, deklaroi Dritan Prifti.
 
Prifti tha se nuk po përpiqet të krijojë destabilitet politik, pasi vetë qeveria është e destabilizuar.
 
"Pjesa e dytë e deklaratave të mia kishte të bënte me faktin që unë po përpiqem të krijoj destabilitet politik. Unë nuk jam pjesë e asnjë grupi politik që ka në fokus destabilitetin. Ne sot kemi destabilitet sepse LSI është si ajo gruaja që është martuar për herë të dytë  dhe sa herë i shkon mendja te burri i parë shkon burrin e parë. Kjo nuk është qeveri stabël. Janë dy parti ku njëra vjedh nga mëngjesi deri në darkë dhe tjetra dhunon qytetarët”, shprehet ish deputeti.
 
Ai paralajmëroi se brenda pak orësh do të shpërndajë në mediat online, një video ku drejtori ekzekutiv i DIA-s, sqaron që frima e deputetit të LSI-së Agron Çela ka marrë rreth 16.5 milionë euro nga DIA.

Prifti tha se është i gatshëm që të deklarojë jo vetëm për DIA-n por edhe në lidhje me hetimet e CEZ. “Sot kam marrë një lajm të mirë që Prokuroria paska filluar një hetim për CEZ, dhe unë e përgëzoj. Më kanë thirrur që të vij sërish të dëshmoj për këtë hetim me të gjitha ato që di. Kam deklaruar që në momentin që do më thërrasin do jem i pranishëm”, pohoi ish ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës.

Për letrwn e drejtuar nga Spartak Braho institucioneve kryesore në vend, janë marrë në pyetje deri tani deputeti Tom Doshi dhe Vojsava Ismailaj. Pas Priftit, pritet të merren në pyetje autori i letrës Spartak Braho si dhe Kastriot Ismailaj.