Prijësit shqiptarë në Vjenën e 1917
Fotot dhe portretet fisnike

Prijësit shqiptarë në Vjenën e 1917<br />Fotot dhe portretet fisnike
TIRANE - Në mesin e prillit të vitit 1917, një delegacion prej 34 shqiptarësh, të ftuar nga komandanti i forcave ushtarake austriake qe gjindeshin në territoret shqiptare, gjenerali Ignaz Freiherr Trollmann, vizitoj kryeqytetin perandorak austriak Vjenë.

Delegacioni që arriti në Austri me 17 prill, u prit në stacionin qëndror hekurudhorë nga shumë personalitete ushtarake dhe diplomatike perandorake, si gjeneralet Trollmann e Myrdacz, gjenerali Ritter von Gross, konsulli Rudnay si dhe gazetari i njohur perandorak Leo Freundlich (i cili ka shkruar e dokumentuar të detajuara momentet e vizitës së delegacionit shqiptar gjatë gjithë kohës, të cilat janë referenca ime në këtë shkrim).

Qellimi i ardhjes së përfaqësuesve shqiptare ishte një takim nderimi me perandorin e ri Karl, si dhe për të bërë homazhe tek varri i perandorit Franz Josef.

dom nikolle kacorri
(Dom Nikollë Kacorri ndërsa u prin fisnikëve shqiptarë gjatë vizitës në Vjenë në prill 1917)
 
Delegacioni, në përbërje të cilit ishin burrat më në zë (prijës) nga të gjithë territoret shqiptare, bëri përshtypje të madhe në qytet. Prijësit e fisëm malësore shqiptare të veshur me kostumet e tyre kombëtare, shumëngjyrëshe, të qëndisur me fije ari, ndiqeshin me vemendje nga vjenezët, gjatë vizitave të tyre të shumta në pikat më të spikatura të qytetit. Njerëzit ishin të befasuar nga pamja kranare e burrërore e këtyre burrave shtatëlartë me mustaqe kreshnikësh që njiheshin deri atë herë vetëm në shkrimet apo veprat e publikuara nga studiuesit albanologë austriakë. Turma kureshtare njerëzish mbushnin trotuaret, kur delegacioni kalonte në makina luksoze, pajtonet karakteristike vjeneze apo në ndonjë vagon special tramvaji, për të shijuar bukuritë e qytetit më në zë europian. Grupi shoqërohej nga Profesorët Gjergj Pekmezi dhe Kolë Rrota që jetonin e punonin në Vjenë.

Dom Nikollë Kaçorri me fisnikët shqiptarë në Vienë me logo
(Në foto Dom Nikollë Kaçorri me fisnikët shqiptarë në Vienë)

Në arkivat e ministrisë së jashtme të kohës së perandorisë Austro – Hungareze, gjinden informacione konfidenciale, të cilat janë dërguar (në shifër) nga konsulli austriak në Shqiperi Kral, ministrit të jashtëm kontit Ottokar Czernin, në Vjenë. Dokumentet janë lista që përmbajnë emrat e të ftuarve, e ku për secilin të ftuar, gjindet një pershkrim i shkurtër biografik i bërë nga konsullatat austriake në Shqipëri. Dokumenti i parë është dërguar nga Shkodra dhe mband datën 10 prill 1917. Listat jane te formuluara sipas ndarjeve te rretheve apo qyteteve:

BEZIRKU I - RRETHI I SHKODRES

1.Musa Efendi Juka, Kryetar Bashkie i Shkodres, rrjedh nga një familje e përmendur shkodrane. Në kohën e turkut ai ishte nënpunës i lartë i financave në vilajetin e Shkodrës. Mbas pushtimit të qytetit nga malazezët (1913) u largua për në Konstantinopol, por me pas u kthye përsëri në Shkodër ku ndihmoi shumë në përhapjen e politikës së turqve të rinj. Për këtë arsye, mbas pushtimit të dytë të qytetit nga malazezët (1915), u mbajt në burg për një muaj. Eshtë Kalorës i urdhërit të Franz Josefit.

2.Kol Ujka, tregtar (ka zëvendësuar Gjon Çobën i cili për arsye shëndetsore ka lajmëruar mos marrjen pjesë në grup).
Gjon Coba, vjen nga një familje e njohur katolike shkodrane. Babai i tij ishte për 40 vjet përkthyes i konsullatës së pergjithëshme austriake në Shkoder, punë të cilën e ka kryer me nder. Ai ka mbajtur me ne lidhje të ngushta e për këtë në vitin 1915 u internua nga malazezët e Podgoricës. Ai është si babai i tij, një tregëtar i madh.

3. Hassan Efendi Bekteshi, rrjedh nga një familje e vjetër shkodrane. Eshtë tregëtar i madh. Gjyshi i tij, ishte në kohën e vezirit Mustafa Pasha “Kuluktishibash”, postëkomandant i Shkodrës, babai i tij ishte “Bylykbash”, përfaqësues i malësive në Shkoder. Hasan Efendi është politikisht në anën tonë. Në vitet 1914/1915 ndihmoj politikën e turqve të rinj, që vepronte kundër Essad Pashës, prandaj u kap dhe u burgos nga malazezët per një muaj.

4.Vat Marashi, Bajraktar i Shkrelit. Mudir (administrator)i Pulaj në kohë të turkut dhe të fuqive nderkombëtare. Ai kishte lidhje shumë të mira me autoritetet turke, por pas qëndrimit të njeanshëm poshtërues të turqve u vendos në krah të malësorve. Në pushtimin e parë nga malazezët u internua si mbeshtetës i turqve. Ai është një politikan i mirëfilltë dhe një orator i talentuar.

5. Gjelosh Gjoka, Vojvoda i Kastratit, bashkëpunetori ynë i sinqertë. Ishte në shërbim të princit Wied në Durrës e mbas ikjes së tij u kthye në Kastrat përsëri. Kur ushtritë malazeze kaluan kufirin shqiptar ai largohet për në Shkodër (1915). E gjithë pasuria e tij u plaçkit dhe u dogj në mungesë të tij. Eshtë mbajtës i kryqit të arit për merita.

6.Abdi Kola, Bajraktari i Shoshit

7.Hasan Ahmeti, Vojvoda i Postripës

BEZIRKU II - PËR LEZHËN:

8.Mano Bey Mehmed Bey, rrjedh nga një familje shumë e vjetër dhe e përmendur nga Lezha. Babai, gjyshi si edhe ai vetë ishin Mudir të malësisë së Lezhës. Familja e tij është pronare e madhe tokash.

9.Ded Çoku nga Bregu i Matit,vjen nga fisi Klementi (Nikci), ishte përpara shumë i pasur, por e humbi një pjesë të pasurisë (tokave) për shkak të rebelimit të tij kundër pushtetit osman, luftës kundër rebelëve të Shijakut dhe kundër Essad Pashës. Ai është nacionalist i flaktë shqiptar dhe përkrahës i hapur i Austro Hungarisë. Ka luftuar në anën tonë kundër armiqve të përbashkët. Eshtë mbajtës i Kryqit të artë për merita të veçanta.

10.Mehmed Bey nga Lezha

BEZIRKU III – PËR PUKË E MIRDITË

11.Kapitan Nue Gjoni, vëllai i kapitanit të Mirditës Marka Gjoni, kushëri i Prenk Bib Dodës. Pasardhës i familjes së përmendur Gjon Markaj nga Oroshi. Përkrahës i monarkisë Austro Hungareze. Mori pjesë në luftimet kundër rebelëve të Shijakut, kundër serbëve dhe Essad Pashës.

12. Zef Ndoci, Vojvoda i Spacit (i biri i Ndoc Ndrecës, komandant i Mirditës në kohë të turkut). Ka qenë për shumë vjet mësues në shkollën e famullisë së Spacit. Mori pjesë aktive në qëndresën kundër turqve, në luftën kundër serbëve dhe kundër Essad Pashës, të cilit i shkaktoj dëme të mëdha. Shqiptar nacionalist dhe simpatizant i monarkisë Austro Hungareze. Mbajtës i kryqit të artë për merita të vecanta.

13.Zejnel Aga Ibalja, Vojvoda i Iballës, nga një familje shumë e permendur dhe e pasur. Ai luftoj bashkë me Bajram Bey Currin kundër serbëve dhe Essad Pashës në krah të prinzit Wied. Eshtë i njohur për miqësinë me ne.

BEZIRKU I IV

14.Muharrem Pengili nga Kruja, përpara Mufti, tashti Naib-Mufti në Krujë. Një klerik shumë i njohur dhe shumë burrëror muhamedan.

15.Ahmed Bey nga Mati, përfaqësues e trashëgimtar i fisit zotërues të Matit, Zogolli që trashëgoj nga rregjimi turk ofiqin Kajmakam. Luajti një rol të rëndësishëm në autonominë e Shqipërisë. Luftoj kundër serbëve dhe ishte një kundërshtarë i Essad Pashës. Vuri në dispozicion të ushtrisë tonë kur hymë në Shqipëri, 4000 – 5000 luftëtarë vullnetarë të cilët luftuan në frontin pranë Vjosës. Eshtë nderuar me urdhërin më të lartë të Kaiserit Franz Josef.

BEZIRKU I V – RRETHI I TIRANËS

16.Mussa Maçi, përpara ishte Kryetar Bashkie, familje me zë, tregtar dhe qytetar tiranas me ndikim shumë të madh në Tiranë.

17. Xhelal Bey, nga familja e Toptanve, kushëri por kundërshtar i Essad Pashës. Pronar i madh tokash. Politikan dhe burrë i mencur.

PËR DURRËSIN

18.Izzeddin Beshiri, ishte perpara Nën- Perfekt e tashti Kryetar Bashkie i Durrësit. I ri në moshë, por shumë inteligjent dhe i gatshëm të ndihmojë kudo. Vjen nga një familje e mirë. Bashkëpunëtor i zellëshëm i administratës tonë qysh në fillim të okupimit. Mban kryqin e artë me kurorë për merita të veçanta.

19. Monsignor Nikollë Kacorri, Protonotar Papnuer, famullitar i Durrësit, nacionalist dhe mbështetës i monarkisë Austro Hungareze. Prift i përkushtuar. Burrë me inteligjencë e personalitet të vecantë.

PËR KAVAJËN

20.Kassim Bey, nga një familje e përmendur. Shumë i pasur, Kryetar Bashkie i Kavajës.

21. Shehziver Bey, nip i Eliaz Pashës nga Dibra – Ohri. Nip i të shumë njohurit e të nderuarit nga Shqipëria e mesme Aqif Pashës. Ka ndihmuar gjatë ardhjes së trupave tona dhe bullgare me vullnetare. Në gjashtë muajt e parë të vitit që shkoj ishte Perfekt i Elbasanit. Eshtë i dekoruar si kalorës i Franz Josefit.

PËR ELBASANIN

22.Lef Nossi, i besimit ortodoks, nga një familje e pasur tregtare kristiane, me gjithë rrezikun e madh në kohë të qeverisë turke, ka organizuar njerëzit, shumica nga banorët ortodoks të Elbasanit, për një lëvizje nacionale shqiptare. Ishte ministër për postë dhe telegraf në qeverinë e Ismail Qemal Beyt dhe sekretar i përgjithshëm në të njëjtën ministri në kohë të Wiedit.

23. Irfan Bey nga Elbasani, nip i Aqif Pashës

PËR BERAT E SKRAPAR

24.Sami Bey Vrioni, pjestar nga familja e vjetër Vrioni që janë zotërues tokash e pasanikët latifondistë më të mëdhenjtë në zonën e Devollit. Eshtë dhëndërri i Essad Toptanit, ishte Administratori i oborrit (Hofmarschall) te Prinz Wied-it.

25. Mehmed Essad, një klerik mohamedan shumë i përmendur, përpara ishte myftiu i Beratit, tashti drejtues i seminarit muhamedan aty.

26.Demeter Lavda, i besimit ortodoks grek, burrë i përmendur dhe tregëtare i njohur.

PËR LUSHNJËN

27.Ahmed Bey Resuli, vjen nga një familje e vjetër dhe e përmendur, shumë i pasur.

28.Emin Vokopola, një burrë me shumë autoritet, shumë i njohur dhe pasanik.

PËR FIERIN

29. Kahreman Bey Vrioni, kushëri i afërt i Samy Bey Vrionit, i pasur dhe i nacionalist. Luftoj si oficier kundër rebeleve dhe Essad Toptanit, ka arritur suksese të mëdha në këtë luftë duke i prirë trupave tona, është i besuari jonë dhe është Kalorës i urdhërit të Franz Josefit.

BEZIRKU I VI – ZHURI – PESHKOPIJA

30.Elez Jussuf, është një burrë shumë i njohur dhe me autoritet në zonat e Drinit nga Dibra. Eshtë i besuari ynë, bëri qëndresë ndaj disa grupeve në Dibër duke propaganduar influencën gege. Kundërshtoi hapur propagandën e partisë së Essad Toptanit. Luftoi në krye të vullnetarëve kundër serbëve deri në tërheqjen e tyre. U vu në shërbim të forcave tona dhe ka fituar për merita lufte urdhërin e lartë si oficier i Franz Josefit.

31.Salih Spahija nga Luma, është përfaqësues i familjes më të rëndësishme në Lumë, ka luftuar kundër serbëve, është nënprefekt në administraten tonë. Ka shumë influencë.

PËR KRASNIQIN

32. Hysni Bey Curri, nip i Bajram Bey Currit. Në kohën e reformave në Maqedoni (1914), bashkë me Bajram Currin ishte ndjekës i Hysni Hilmi Pashës, inspektorit të komisionit të reformave. Në kohën e revolucionit të Kosovës (1910) bashkë me Bajram Currin mori pjesë në qëndresen e shqiptarve kundër qeverisë turke. Në të njëjtën kohë mori pjesë në cdo levizje e qëndresë kundër sllavëve si dhe në luftimet e Princit Wied në Durrës.

33. Sali Mani Bunjaj, është pjestar i një familje të njohur dhe të pasur. Ka qenë dhe është kurdoherë një ndjekës i Bajram Currit.

34. Hasan Bey Prishtina, është një nga njerëzit më të përmendur, nacionalist dhe me influencë në të gjitha zonat verilindore që janë shqipfolëse. Ishte ministër në qeverisjen e princit Wied.

Delegacioni në shoqërinë e gjeneralit Trollmann vizitoi shumë objekte të artit, të kulturës e të historisë së perandorisë. Vizitën e parë e bëri tek Dhoma e Thesarit të perandorisë prej ku më pas në Museun e Artit ku patën rastin të njihen e të kundrojnë nga afër armët dhe përkrenaren e heroit tonë kombëtare Gjergj Kastrioti që ndodhet në dhomën e koleksionit të armëve. Një vizitë tjetër e rëndësishme ishte edhe në katakombet e kishës së Kapucineve ku ndodhen varrezat e pjestarëve të familjes perandorake dhe sarkofagu i Kaiserit Franz Josef, i cili kishte pak muaj që kishte vdekur (21 nëntor 1916).

Këtu u vendos një kurorë me lule dhe u mbajtën fjalime falenderuese, nga Gjergj Pekmezi dhe Hasan Prishtina, në nderim të perandorit të vdekur. Ditët e tjera, u mundësuan vizita në Museun ushtarak, Katedralen madhështore të Shën Stefanit në qendër të qytetit, e më pas u bë edhe audienca ku delegacioni ynë u prit nga Perandori Karl dhe Perandoresha për rreth 45 minuta. Në emër të shqiptarve zotëri Xhelal Toptani i dhuroj princeshës së vogel tre vjeçare, një fustan të qëndisur me fije ari, punë dore e nënave shqiptare. Nga takimi me perandorin, shqiptarët të hypur ndër 10 makina ushtarake, vizituan bashkinë e Vjenës ku u pritën me nderime nga kryetari Dr. Weiskirchner.

Sipas programit të vizitës, delegacioni shijoi dhe bukurinë e “vallëzimit të kuajve të racës” në shkollën spanjole të kuajve të oborrit perandorak, më pas u njoh me koleksionet e pashembullta e unikale të muzeut të natyrës, të cilin perandori e kishte ndërtuar për të kënaqur ndjesitë e tij dhe për ti treguar botës fuqinë dhe pasurinë e perandorisë.

Gjëja me interesante në ditën e tretë të ardhjes, ishte shkuarja e grupit në operan e famëshme të Vjenës ku atë natë luhej “FIDELIO”. Për shumë pjesëtarë të delegacionit kjo ishte një risi që nuk kishin pasur mundësi më perpara ta shijonin.

Me 20 prill, shqiptarët u pritën në ministrinë e mbrojtjes (të luftës) ku këmbyen me ministrin falenderime e lavde reciproke e më pas delegacioni vizitoi kështjellën e Schönbrunnit me bukuritë e saj që e rrethojnë. Në orët e vona të natës një pjesë e delegacionit ishte parashikuar të largohej nga Vjena në drejtim të atdheut e për to u organizua nga autoritetet një festë përcjellje.

Në programin javor ishte edhe një takim me fëmijët shqiptarë, të cilët shkolloheshin në Vjenë e që jetonin në një konvikt të veçantë vetëm për to, në Krottenthalergasse.

Ajo që bëri përshtypje në festen madhështore të lamtumirës ishte fjala që mbajti komandanti i forcave austriake në Shqipëri, gjenerali Trollmann, i cili përshëndeti fisnikët shqiptar për ndihmën e madhe të dhënë për organizimin e ndihmave, të ushtrisë e vullnetarëve. Në fund të fjalës së tij ai thirri në gjuhën shqipe: RROFTE SHQIPNIA...

Më pas e mori fjalën Imzot NIKOLLE KAÇORRI, i cili tha që shqiptarët ishin më se të kënaqur për pritjen e bërë në këtë qytet të mrekullueshëm për nga bukuria e kultura. Në emër të gjithë të deleguarve ai falenderoi për pritjen e ngrohtë që u bëri atyre PERANDORI dhe autoritetet e tjera të shtetit e të qytetit. Në fund Imzot Kacorri me fjalë të ngrohta falenderoi dhe i dëshëroi gjithë të mirat gjeneralit Trollmann për simpatinë që ai ushqente për popullin shqiptar, urim që u brohorit nga të gjithë të pranishmit pjestarë të delegacionit. Delegacioni shqiptar u nis për në atdhe me 23 prill 1917.

SHËNIM: Imzot Kaçorri vdiq pas afro një muaji në Wien (29 maj 1917)

Wien, më 8 maj 2013

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 12.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi