Publikimi i mesazheve në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë ka hedhur dritë mbi disa emra të njohur nga e gjithë bota mes tyre edhe nga Kosova.

Pas ish-presidentes së Kosovës në një nga email-et e vitit 2012, përmendet edhe Behgjet Pacolli.

Email-i, i datës 19 shtator 2012 dhe i dërguar nga konsulli i Kosovës në Tajlandë, Mom Luang Rajadasari Jayankura, i drejtohej Jeffrey Epstein dhe përmbante titullin: “Kush është Behgjet Pacolli?”.

“Përshëndetje Jeffrey, princesha dëshiron që t’i të shohësh këtë video,” thuhet në mesazhin e dërguar nga “Daniel”, ku përfshihej edhe një link nga YouTube, i cili nuk është më i aktiv. Konsulli i Kosovës në Tajlandë i sugjeronte Epstein-it: “Mund t’ia dërgosh këtë Jeffreyt.”

Pas këtyre lajmeve Pacolli përmes një postimi në rrjetet mohon çdo lidhje me Epsteinin duke paralajmëruar se do të hapë çështje penale në gjykatë në Kosovë, Shqipëri e Libi ndaj një personi, duke aluduar se gjithçka është inskenuar nga një ish-bashkëpunëtor për ta dëmtuar.

Postimi i plotë

Gjëja më e shëmtuar është momenti kur njeriu përballet me faktet e pabesisë nga  “njeriu “ të cilit i  kisha besuar pa masë, për më shumë se 20 vite. Ndërkohë që çdo ditë po dalin faktet e reja, kjo pabesi  nuk ishte ndalur vetëm te mashtrimet apo falsifikimi i dokumenteve, por përfshinte edhe tentativa poshtërimi, vjedhje, përbuzje të sofres, gënjeshtra, intrigat, terhjekjen e bashkepuntorëve tjerë më këto akte kriminale dhe shumë veprime të tjera të ulëta. As këto nuk i kishin mjaftuar. Ai duke mos pas fytyrë të përballët mẽ atë që kishte bërë, kishte vazhduar më tej, duke tentuar të rrënoj gjithçka që kam ndërtuar gjatë gjithë kohës së punës time , respektin ndaj njerëzve, moralin dhe pronën.

Faktet e këtyre pabesive, të ndërtuara me vite me radhë, do t’i publikoj një nga një sapo të fillojë trajtimi i tyre në gjykatat penale dhe civile në Kosovë, Shqipëri, Emirate dhe Libi – aty ku janë konsumuar. Këto veprime janë aq të rënda, sa kam filluar t’i përmbledh faktet edhe në një libër, të cilin do ta promovoj gjerë e gjatë.

Me këtë synohen dy qëllime kryesore:

Së pari, të rritet vetëdija se pabesia është një akt i shëmtuar dhe nuk mund të kalojë pa pasoja.

Së dyti, për ata që mund të gjenden në një situatë të ngjashme me timen: besimi te njerëzit, sidomos te bashkëpunëtorët, është normal, por kontrolli është i domosdoshëm.