Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj me anë të një statusi në Facebook, i është përgjigjur reagimit të princeshë Elia Zaharias lidhur me qëndrimin e saj për Teatrin Kombëtar. Në statusin e tij, Shehaj shkruan se ka mbetur pafjalë nga qëndrimi i Elias dhe familja e saj më mirë së askush tjetër e di më mirë së çfarë lëndimesh shkakton mohimi i historisë.
Emri i Elias është renditur ndër firmëtarët që janë pro shembjes së TK, veprim ky që solli mjaft kritika drejt figurës së saj. Për të sqaruar çështjen vetë Elia u shpreh se askush nuk mund të mohojë degradimin ekstrem të godinës së teatrit dhe bërjen pothuajse të pamundur të ushtrimit të veprimtarisë artistike në kushtet aktuale.
Postimi i plotë i deputetit Shehaj:
E dashur Elia,
Kam shumë respekt për familjen mbretërore por në këtë rast qëndrimi juaj mbi teatrin më la pa fjalë, sepse është i gabuar.
Së bashku restauruam kohë më parë një objekt të vjetër e me vlera historike në pronësi të familjes mbretërore, dhe e kthyem në një qendër inovacioni të teknologjisë së informacionit.
Përse Teatri, gjithashtu mbartës vlerash duhet zhdukur në vend që të restaurohet?
Familja juaj më shume se asnjë tjetër e di që shuarja dhe mohimi i së kaluarës shkakton plagë të pashërueshme për shoqërinë. Duhet të jemi nga ana e drejtë e historisë.