Në kushtet e një izolimi, për të gjithë më 2 prill, në Ditën Botërore të Autizmit Klubi Kombëtar i fëmijëve me spektrin e autizmit i ka dërguar një letër ditën e sotme Ministrisë së Shëndetësisë. Kërkesa është për të caktuar një fashë orari leje-dalje për fëmijët me autizëm, të shoqëruar nga prindërit e tyre, për shkak të nevojës që ata kanë për të lëvizur jashtë katër mureve të shtëpisë. Egla Bajrami, drejtoreshë ekzekutive e Club-it Kombëtar sqaroi për Report TV përmbajtjen e kësaj letre për të cilën pritet një përgjigje:
''Është shumë e vështirë për prindërit. Fëmijët e tyre duan të dalin kërkojnë me patjetër, pasi nuk e kuptojnë këtë situatë. Duan të hapin derën. Ne i kemi dërguar një letër Ministrisë së Shëndetësisë, ditën e sotme nisur nga shqetësimi i prindërve, të ketë një dalje të këtyre fëmijëve në fashën kur nuk ka lëvizje. Letrën e kemi bërë për fëmijët në të gjithë Shqipërinë, për liri dalje pas orës 13:00. Presim nkë përgjigje. Ministria ia ka komunikuar policisë. Në Tiranë na kërkuan një listë. Tirana ka 2000 të deklaruar me spektrin autik. Ndoshta shifra është edhe më e madhe. Ju bëj apel prindërve të referojnë rastet e tyre për trajtim më të specializuar. Ne kemi kërkuar këtë liri-dalje pas orës 13:00 për fëmijët me spektrin e autizmit shoqëruar nga prindërit e tyre''.
Bajrami thotë se në këto kushte karantinimi sfida tjetër për prindërit është edhe trajtimi i fëmijëve, pasi kjo situatë për ta është regres. ''Trajtimi online nuk ka produkt. Kam këshilluar prindërit ta kthejnë shtëpinë në një kënd lojërash, për të ndryshuar rutinën e tyre të përditshme. Karantinimi për ta është regres. Kërkojnë të dalin pasi duhet të nxjerrin energjinë e tyre negative''-sqaron më tej Bajrami.
Klubi Kombëtar ka publikuar edhe një video me punime të fëmijëve, me spektrin autik. Megi Latifi, bashkëpunëtore e këtij Clubi tha se lidhur me Ditën Botërore të Autizmit cdo aktivitet i parashikuar u anulua për shkak të situatës: ''Sot do të ishte një ditë ndryshe. Ishim duke përgatitur edhe një koncert dhe anuluam gjithcka. Tashmë jemi në karantinim. Kam kontakte me familjarët dhe me fëmijët që janë një dashuri më vete. Një nënë më kërkoi t'i dërgonim një letër ministrisë. Për të mundësuar daljen e tyre të paktën 2 orë. Ata e kanë të nevojshme. Pas shumë kohë pune me ta, në këtë situatë mund të shkojë dëm gjithcka''.
Jam nje prind si ju ketu ne Itali dhe vetem dje qeveria ka nxjere urdherin per daljen e ketyre femijve, shpresoj qe edhe atje te meret ky vendim i drejte.
Përgjigju