Policia nuk lejon Aleancën Kuq e Zi të zhvillojë protestën pranë rrugës së Elbasanit kundër shkatërrimit të parkut të Liqenit. Protesta ishte parashikuar për në orën 11:00 por policia nuk lejoi zhvillimin e saj, pasi AK nuk kishte marrë përgjigje ndaj kërkesës që kjo e fundit kishte dorëzuar në polici për lejimin e zhvillimit të protestës.

Fillimisht ka pasur një përplasje mes përfaqësuesve të AK dhe policisë. Pas ngulmimit u la që brenda ambienteve të zhvillohet deklarata për shtyp.

“Babëzia qeveritare po prish parkun kombëtar. Kjo bëhet për interesa klienteliste. Basha qesh para mediave pasi ka betonizuar Tiranën. Po shkatërrohen pemët. Ky shesh dhe kjo rrugë do të jetë për qendra tregtare dhe jo për interesat e qytetarëve. Ne jemi dakord që kjo Tirana të ndërtohet por jo të prishet parku kombëtar.”- tha Adraitik Lapaj, përfaqësuesi i AK-së.

Në shenjë ironie AK inauguroi rrugën me një pankartë ku shkruhej “Sopata e Bashës”. Në fund policia shoqëroi në komisariat 5 përfaqësues të AK të cilët pritet të lirohen brenda pak orësh.

Kundër vendimit të Bashkisë së Tiranës për prerjen e disa pemëve shumëvjeçare në Kodrat e Liqenit, me qëllim zgjerimin e Rrugës së Elbasanit, janë dhe Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Historike, Ekolëvizja dhe Qendra Shqiptare e Trashëgimisë. Kreu i PS-së akuzoi dje Berishën se po shkatërron parkun për interesa klienteliste, ndërsa Bashkia në një kundëreagim akuzoi Ramën se kishte injoruar parkun kombëtar për 11 vite.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)