Prishtinë,IKSHP:Nafta në shkolla
jo kancerogjene. Ahmeti:Hetim

Prishtinë,IKSHP:Nafta në shkolla<br />jo kancerogjene. Ahmeti:Hetim
PRISHTINË- Instituti i Shëndetit Publik në Kosovë, ka vlerësuar se nafta e përdorur për ngrohje në shkolla është sipas standardeve të kërkuara. Analiza e Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKPSH), thekson se shëndeti i nxënësve nuk rrezikohet nga kjo naftë.

Inspektimi që është bërë në tri shkollat: “Asim Vokshi”, “Meto Bajraktari” dhe “Sami Frashëri”, ka nxjerrë konstatimin se “nafta e analizuar nuk mund të përdoret për motorët për djegie të brendshme, por mund të përdoret si vaj për ngrohje” sipas nenit 9 të UA 07/2012 për cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës”.

Sipas këtij raporti, “nuk ka mundësi të këtë ndotje të ajrit në klasa ngase sistemi i ngrohjes është i mbyllur”. Së treti, vërehet se “Oxhaqet janë të lartësisë së duhur dhe nuk rrezikojnë ambientin shkollor”.
Por pavarësisht përgjigjes së Institutit të Shëndetit, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një postimi në Facebook, këmbëngul se bëhet fjalë për një krim dhe se shumë pyetje mbeten pa përgjigje.
 
KRYETARI I PRISHTINËS, AHMETI: DO TË KËRKOJMË VLERËSIM NGA OBSH
 “Më datën 7 Shkurt 2014, Komuna e Prishtinës ka marrë tri mostra të naftës nga tri shkolla në Prishtinë, Sh. F. AsimVokshi, Sh.F. Meto Bajraktari dhe Gj. Sami Frashëri. Edhe pse kontrata për naftë me Kompaninë "HIB Petrol" ishte për naftë dhe faturat janë për diesel me vlera të squfurit 10 ppm, mostrat kishin dalë me vlera që mbërrijnë 680 ppm. Komuna e Prishtinës të premten menjëherë kërkoi vlerësimin e rrezikshmërisë së niveleve të tilla të squfurit në naftë. Më datën 10 shkurt 2014, Komuna ka marrë përgjigje nga Instituti i Shëndetit Publik”, pohon Ahmeti.

Ai sqaron më tej se, “Instituti nuk ka dhënë vlerësim të niveleve të tilla të squfurit dhe efektet potenciale në shëndet. Instituti nuk ka dhënë as edhe analizën më të vogël për vlerat e lejuara të squfurit në ambiente të tilla pa filtra dhe makina përkatëse për djegien e vajrave”.

Ai vëren edhe se “Instituti ka konstatuar se sipas analizave nga laboratorët se lënda nuk është naftë sipas nenit 7 të udhëzimit administrativ 17/2012, por është vaj për djegie. Instituti ka konstatuar se në këto tri shkolla rezervuarët janë të mbyllura dhe NUK mund të kontaminojnë ajrin në klasa dhe se po të njëjtat makina nuk kanë filtrat e nevojshëm, por megjithatë oxhaqet janë të larta mbi nivelin e shtëpive. Instituti ka dhënë rekomandime për Komunën të cilat kanë të bëjnë me riparimet e nevojshme në shkolla”.

Ahmeti bën të ditur se në bazë të kësaj përgjigje, Komuna e Prishtinës “do të kërkojë vlerësim shëndetësor të nivelit të lartë të squfurit në motorrë pa filtra dhe që përdorin naftë, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nga organizata të tjera ndërkombëtare”.

“Komuna do të vazhdojë marrjen e mostrave nga të gjitha shkollat, dhe po ashtu disa nga mostrat e kontaminuara do t’i dërgojë për super analizë jashtë vendit për të vërtetuar se në produkti i cili blihet si naftë me vlera 10 ppm të arrijë vlera të squfurit deri në 700 ppm. Komuna do t’i ndihmojë autoriteteve zbulimin e krimit potencial ekonomik ku komuna e Prishtinës është dëmtuar në vlera që arrijnë mbi 1 milion Euro”, nënvizon Ahmeti.

“NË DISA SHKOLLA MËSIMI DO TË FILLOJË, POR PËRGJEGJËSIA E IKSHP”
Ai përfundon duke thënë se, “Në shkollat ku rezervuarët janë në hapësira të mbyllura do të rifillojë mësimi në bazë të përgjigjes së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë”, por “përgjegjësinë për këtë e merr Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe komisioni i ekspertëve të Institutit”.

“Në shkollat ku rezervuarët janë në hapësira të hapura dhe në kontakt me nxënësit nuk do të përdoret ngrohja përderisa nuk bëhet ndërrimi i naftës së kontaminuar dhe pastrimi aty ku është e nevojshme. Nafta e zbrazur do të dërgohet për analiza jashtë vendit. Ndalohet përdorimi i gjeneratorëve derisa të bëhet zëvendësimi i naftës së kontaminuar me naftë tjetër. Për shkak të vlerësimit se në Shkollën "Meto Bajraktari" vërehet një erë nafte, mësimi në këtë shkollë nuk rifillon derisa të bëhet riparimi i defekteve teknike. Komuna e Prishtinës do të kontaktojë zyrtarisht me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në lidhje me kontaminimin e ajrit për shkak të përdorimit të ndaluar të vajrave. Komuna e Prishtinës edhe njëherë dëshiron të ritheksojë se shëndeti dhe siguria e qytetarëve janë prioriteti i parë. Komuna nuk do të ndalet deri në zbardhjen e plotë të çështjes së përdorimit të naftës jashtë standardeve. Komuna e Prishtinës iu bën thirrje shoqërisë civile, mediave dhe subjekteve politike të kërkojnë përgjegjësi për cilësinë e karburanteve në Republikën e Kosovës, sepse mungesa e kontrollit dhe menaxhimit dëmton shëndetin publik”, përfundon kryetari Ahmeti.

Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh (VIDEO)

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh (VIDEO)