Në një komunikatë të lëshuar nga “Tubimi i qytetarëve”, thuhet që edhe netët e ardhshme të vazhdojnë tubimet për t’i njohur qytetarët e Republikës me situatën e re, në mënyrë që ditën kur do të mbahet seanca, pjesëmarrja në protestë të jetë masive.
Pavarësisht që Qeveria e Kosovës ka bërë ndryshime në Projektligjin për Amnisti, duke larguar krejtësisht nenin tre, përfaqësuesit e subjektit politik Vetëvendosje, vazhdojnë ta kundërshtojnë atë duke thënë se projektligji është në dëm të vendit.
Ata thonë se se me fshirjen e nenit 3 në të cilin parashiheshin amnisti për shumë vepra që nuk ndërlidheshin vetëm me veriun e Kosovës, po kërkohet vetëm t'i hidhet hi syve të qytetarëve.
Ndërkohë që Parlamenti i Kosovës, pritet të hapë sërish javën e ardhshme debatin rreth këtij ligji, që synon të krijojë kushte për integrimin e pjesëtarëve të strukturave serbe në veriun e Kosovës. Rtk informon se zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi u shpreh i bindur se projektligji do të marrë votat e nevojshme të deputetëve.
Ligji u miratua dje nga qeveria e Kosovës, me ndryshime që pasuan debatin e së enjtes në Parlament. Por ekspertët thonë se me ndryshimet që së fundmi i ka bërë në projektligj, qeveria po mundohet t’iu hedh hi syve qytetarëve të vendit.
Albulena Haxhiu, anëtare e komisionit për legjislacion nga Lëvizja Vetëvendosje, në një prononcim për europa e lirë, tha se me heqjen e nenit tre asgjë nuk ka ndryshuar substancialisht nga projektligji.
“Qeveria e Kosovës, pasi që Ivica Daçii mbeti i zhgënjyer nga Kuvendi i Kosovës, bëri sikur e ndërroi këtë ligj duke u përpjekur kështu që t’iu hedh hi syve qytetarëve, shoqërisë civile, deputetëve që e kanë kundërshtuar, duke sjellë dje një version tjetër, pra të njëjtin projektligj për amnistinë".
"Neni pesë i projektligjit ka për qellim amnistimin e krimit, amnistimin e gjithë atyre krimineleve serbë në veri. Dhe i njëjti ka për qëllim krimin e organizuar dhe kontrabandës. Ne si subjekt politik, sigurisht që do ta kundërshtojmë fuqishëm edhe këtë draft që na është sjellë”, tha Haxhiu për Radion Evropa e Lirë.
Projekti i cili është i sponsoruar nga Ministria e Drejtësisë, nga shumë deputetë cilësohet se e tejkalon marrëveshjen dhe mundohet të amnistojë krime ordinere që janë kryer në gjithë territorin e Kosovës.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)