PRISHTINË, 16 Janar/ATSH/.- Komuna e Prishtinës në shkurt të këtij viti do të bëhet edhe me Pallat të Drejtësisë, njëri ndër investimet më të mëdha të Komisionit Evropian.
Sipas KosovaPress, kjo gjë u bë e ditur sot nga i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, pas takimit që pati me përfaqësuesin special të Unionit Evropian, Samuel Zhbogar.
Në këtë takim po ashtu u diskutua edhe për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke përfshirë edhe marrëdhëniet që Komuna e Prishtinës ka me Qeverinë e Kosovës.
Ahmeti e vlerësoi si shumë të rëndësishëm, mbështetjen e madhe që është duke dhënë Komisioni Evropian për Komunën e Prishtinës.
"Së shpejti do të vihet në funksion Pallati i Drejtësisë, i cili është një prej projekteve më të mëdha që ka financuar Komisioni Evropian dhe pritet që në shkurt do të bëhet funksional. Me kalimin e sistemit gjyqësor atje, do të lirohet edhe një pjesë e madhe e Qendrës së Prishtinës", u shpreh Ahmeti.
Ndërsa, përfaqësuesi i Komisionit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, pohoi se Komuna e Prishtinës ka plane shumë ambicioze dhe se këto plane do t'i mbështesin gjithmonë.
"Pallati i Drejtësisë është investimi më i madh i Bashkimit Evropian në Kosovë, investim prej 55 milionë euro. Objekti është i përfunduar dhe zyrtarisht do të hapet në shkurt", tha ai./m.m/










