PRISHTINE - Prishtina zyrtare i ka ndaluar hyrjen në territorin e shtetit të Kosovës  ministrit për Kosovën në qeverinë në largim të Serbisë, Goran Bogdanoviq. Ai ishte nisur për të marrë pjesë në një manifestim në nder të 623 vjetorit të Betejës Mesjetare të Kosovës, të cilën komuniteti serb e quan “Vidovdan”.

Bogdanoviq ka konfirmuar vetë lajmin për radion Europa e Lirë. Ministri ka pohuar se arsyeja e moslejimit të hyrjes së tij në Kosovë është për shkak se ai i mbështet institucionet e Serbisë në Kosovë.

Autoritet shtetërore në Kosovë nuk janë prononcuar ende për këtë ngjarje.

Manifestimi për të përkujtuar betejën e “Vidovdani” mbahet çdo 28 qershor, në Graçanicë dhe Gazimestan dhe shoqërohet me trazira.

Autoritetet e rendit kanë njoftuar se në kuadër të sigurisë manifestimeve, gjatë ditës së nesërme do të shtojnë praninë në rrugët që çojnë drejt këtyre dy lokacioneve.

(eb/shqiptarja.com)