PRISHTINË, 12 Maj /ATSH/ - Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA), bazuar në kompetencat e saj dhe në mbështetje të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), ka mbërritur në vendngjarje dhe ka filluar hetimet pas aksidentit të helikopterit në Aeroportin e Prishtinës.
Pas përfundimit të hetimeve, Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike, i cili vepron në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, do të dalë me raport rreth ngjarjes.
Këtë e bëri të ditur sonte Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike, në komunikatën e dërguar nga zyra e shtypit e qeverisë së Kosovës.
Fillimisht njoftohet se, sot rreth orës 15 e 04 minuta, një helikopter i Kompanisë "Starlite Aviation", kontraktor i EULEX-it, në bord me dy persona, personel mjekësor të Starlite si dhe dy pilotë, gjatë një fluturimi trajnues është aksidentuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, "Adem Jashari".
Në këtë aksident, për fat të mirë, nuk ka pasur viktima, ndërkaq një person i lënduar është dërguar në spital, kurse tre personat e tjerë kanë shpëtuar pa lëndime./b.j/ /a.ke/








