/ATSH/.- Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës siguron qytetarët se po bën të gjitha përpjekjet bashkë me autoritetet e Shqipërisë, që marrëveshja e bashkëpunimit midis Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, e nënshkruar në nëntor të vitit që shkoi të zbatohet sa më parë.
Në një njoftim për shtyp MSH sqaron se "kjo marrëveshje, përmes së cilës synohet që Shërbimi i Kardiokirurgjisë i QSUT-së të mbështesë Shërbimin e Kardiokirurgjisë së QKUK-së përmes dërgimit të kardiokirurgëve nga Shqipëria në Kosovë, nuk ka skaduar, siç është keqinterpretuar në media dhe as nuk është marrëveshje tre mujore, por marrëveshje një vjeçare që përfshin periudhën 1 nëntor 2014- 31 tetor 2015.

"MSh falënderon autoritetet shqiptare për gatishmërinë që ndërhyrjet e ekipeve kardio-kirurgjike të Shqipërisë në Kosovë të nisin sa më parë, ndërsa me qëllim të përshpejtimit të këtij procesi, javën që vjen, Ministrat e Shëndetësisë të Kosovës e Shqipërisë, do të kenë takim në Tiranë, për bashkëpunimin në shëndetësi midis dy vendeve, ku ndër të tjera, prioritet do të jetë edhe kardiokirurgjia", thuhet në njoftim./Kosovapress/