PRISHTINË, 18 Nëntor /ATSH/- Në Prishtinë, të mërkurën në Bibliotekën Kombëtare "Pjetër Bogdani", duke filluar nga ora 11:00, do të promovohet triptiku i tre librave poetikë të tre autorëve nga Tirana: Lefter Çipa, Aleksandër Çipa dhe Akri Çipa (që janë: babai, i biri dhe nipi). "Libri vij nga drita",  është i Lefter Çipës, njëri ndër poetët më të shquar shqiptarë, autor i 18 librave me poezi, konsiderohet autori më kreativ i këngëve polifonike gjatë 40 viteve të fundit, si dhe njëri prej studiuesve dhe hulumtuesve më këmbëngulës të poezisë popullore në trevat jugore të Shqipërisë. Libri "Mbi re s'ka stacione" është i Aleksandër Çipës - analist dhe opinionsit i mirënjohur shqiptar, botues dhe drejtues i disa mediave më prestigjioze nga Tirana dhe pedagog i gazetarisë në "Albanian University" në Tiranë. Ka realizuar shumë studime për çështje të realitetit politik dhe mediatik në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj. Ka botuar disa libra nga letërsia dhe publicistika. Dhe libri i fundit është "Në modernitet humbëm nga autori junior" - Akri Çipa. Për librat në fjalë në promovimin e Prishtinës do të flasin studiuesit Behar Gjoka dhe Flamur Maloku. /b.j/