PRISHTINË, 16 Shkurt/ATSH/.- Në Prishtinë u hap sot panairi i pavarësisë "Republika ime", ku marrin pjesë rreth 70 biznese vendore, që kanë ekspozuar prodhimet e tyre kryesisht ushqimore.
Gjatë cermonisë së hapjes së këtij panairi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se "kjo është një dëshmi e mirë sepse të rinjtë e vendit tonë nuk duhet ta largohen nga vendi për të ikur drejt perëndimit".
"Një lloj krenarie realisht që e kemi pasur nevojë veçanërisht në këto momente mjaft të rënda, kur një pjesë e madhe e rinisë sonë e kanë marrë rrugën e mërgimit aq më tepër kur shohim edhe fëmijë të vegjël në mes të dimrit duke tentuar të kalojnë pellgjet me ujë. Ky është një mesazh që dëshirojmë ta dërgojmë, edhe një herë e falënderojmë rininë, veçanërisht Këshillin Evropian të Rinisë, i cili e ka bërë këtë manifestim veçanërisht këtë moment kaq të veçantë për të treguar se këtu është perspektiva e rinisë, këtu është perspektiva e qytetarëve të Kosovës, këtu është e ardhmja jonë".
"Duhet të punojmë të gjithë bashkërisht ta përmirësojmë këtë vend, pasi vetëm kështu mund të shkojmë edhe më shpejt në Evropë, pra me dinjitet dhe krenarë që jemi qytetarë të Republikës së Kosovës, për të cilën kanë dhënë jetën qytetarët e saj", tha Veseli.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, deklaroi se me zhvillim ekonomik mund të ndalet fluksi i migrimit të qytetarëve të vendit tonë.
"Është koha kur rinia duhet ta thotë zërin e vet dhe ky është vërtetë një hap i cili duhet të respektohet", tha Gërxhaliu.
Panairi, i organizuar nga Këshilli i të Rinjve Evropianë të Kosovës dhe studentët e Universitetit të Prishtinës, sipas kryetarit të këtij këshilli, Avdullah Hasani është bërë me qëllim që të rinjtë e UP-së të praktikojnë organizimin e panaireve ekonomike. Panairi do të vazhdojë të jetë i hapur deri nesër./KosovaPress/k.s/








