PRISHTINË - Në Prishtinë, seanca dëgjimore ndaj 40 të dyshuarve për ekstremizëm e terrorizëm, ka filluar dhe po zhvillohet në Gjykatën e improvizuar në një sallë që ka qenë kinema.
Përfaqësuesve të medieve nuk u është lejuar hyrja në sallë.
Por, sipas koha.net, një gazetari i KTV-së gjendet brenda kësaj seance, dhe sipas tij shumica e të arrestuarve për terrorizëm janë deklaruar se nuk kanë shkuar në Siri.
Gazeta Express raporton se ka siguruar kërkesën e prokurorisë e cila i ka kërkuar Gjykatës Themelore që 40 personave të dyshuar për terrorizëm tu caktohet masa e paraburgimit pasi për një gjë të tillë ka prova të mjaftueshme.
Sipas Prokurorit të rastit Blerim Isufaj ndër të tjera këta persona paraqesin kërcënim direkt për sigurinë në vend dhe ndaj shteteve të tjera që janë të përfaqësuara në Kosovë. /ATSH/