Ndërsa përditë, në mbarë botën e qytetëruar, të gjithë janë të shqetësuar për një dritë në fund të tunelit në luftën e tmerrshme në Ukrainë, në Kuvendin e Kosovës, në gjysmën e partisë së Albin Kurtit, shqetësimi më i madh ishte të mos votohej projektkodi i ri civil, brenda të cilit citohet dhe “bashkësia e njerëzve të gjinive të njëjta”, pra martesa e njerëzve të të njëjtës gjini. Pra në 2022, ka shqiptarë që dëshirojnë të ndalojnë shqiptarë të tjerë të dashurohen me kë të duan, të bëjnë familje me kë duan, të rrisin fëmijë sepse i duan dhe e quajnë mision e jo detyrim apo se kështu bëjnë të gjithë. Bota ka ndryshuar prej kohësh e ndryshon gjithnjë. Zemrat e disave, fatkeqësisht bashkëatdhetarë tanët, janë ngurtësuar në hone që e mendojnë se mund të vazhdojnë persekutimet e individëve-ndryshe. Në këtë rast personave LGBT.

Meqë Shqipëria e Kosova në dekada e dekada kanë qenë përherë vende shumë të vështira për pranimin e njerëzve me prirje seksuale të ndryshme nga ajo që shoqëria ka standartizuar në kohë, ndoshta, do të ishte mirë të mësonte e të kuptonte përtej çështjes së seksualitetit, se çfarë vlerash të shtuara kanë personat LGBT për shoqëritë tona, këtëj dhe andej kufirit shqiptar.

Për shembull GUXIMI. Të lindësh dhe të ekzistosh si person LGBT në dy shoqëri agresive, thumbuese, diskriminuese, përjashtuese, është disafish më e vështirë se të lindësh një njeri “normal”. Do të ishte fare e kollajtë për të gjithë personat LGBT që të shtireshin ndryshe, të fshiheshin, kamufloheshin, vetëm e vetëm që të kishin një jetë pa përçmimin e familjarëve në shumë raste, mohimin e tyre, vështirësitë në punësim, dhunë fizike dhe policore. Në këtë këndvështrim, shumë prej nesh kanë për të mësuar mbi guximin e personave LGBT.

Për shembull, VERTETESIA. Vërtetësia e ekzistencës duket se është një mision fisnik për çdo qënie njerëzore. Të gjithë na mësojnë se të jemi vetvetja, është rruga e vetme dhe e vërtetë për çdo qënie njerëzore në glob. Duke treguar thellësisht natyrën e vet, personat LGBT mund të na mësojnë edhe ne të tjerëve që shpesh fshihemi në qindra maska, se sa e bukur është liria për të qenë vetvetja. Shpalosja e natyrës primare dhe origjinale me të cilat është ngjyrosur ADN-ja e sicilit prej nesh, është një detyrë e përgjegjësi njerëzore. Që nga Nikoleta, transgjinori i parë shqiptar që u deklarua publikisht në një media shqiptare, te Linda Rei, kuptohet lehtësisht sinqeriteti dhe vërtetësia e argumentave të tyre, krahasuar me shumë individë që në publik fshehin dhe kamuflojnë fakte dhe qëllime shumë e shumë më të dëmshme për shoqërinë tonë sesa çështja e seksualitetit, 

Për shembull, VUAJTJET. Përvuajtjet, përbuzja, persekutimet, përndjekja, paragjykimet, kanë qenë dhe janë një rrebesh i përhershëm mbi shqiptarët LGBT. Asnjë shqiptar tjetër nuk ka pasur më shumë se ata mbi kokë mbledhjen e kaq shumë mallkimeve për arsye që nuk varen aspak nga ata. Të gjitha këto vuajtje meritojnë vetëm respekt dhe vendin e duhur në shoqërinë tonë, ashtu si në gjithë shoqëritë më të përparuara në botën e qytetëruar. Ndaj Kosova, deputetët e saj në këtë javë të vështirë, nuk treguan se kanë as mëndje dhe as zemër. Ata treguan se nuk janë dhe aq njerëzorë.