Mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit nuk do të lejohen të dalin në det të hapur nga pasditja e së premtes, pasi Kapiteneria e Portit Vlorë ka vendosur kufizime për shkak të përkeqësimit të motit në det.

Sipas njoftimit të Kapitenerisë, ndalimi do të jetë në fuqi nga ora 14:00 e datës 24 korrik deri në orën 06:00 të 25 korrikut dhe prek mjetet që operojnë jashtë gjirit të Vlorës, si edhe në zonën Dhërmi–Himarë.

Parashikimet flasin për erë në drejtimin veri–veriperëndim me forcë deri në 6–7 ballë, ose 15–25 metra në sekondë, ndërsa dallgët pritet të arrijnë lartësinë nga 1.5 deri në 3.5 metra.

Për mjetet e vogla që lundrojnë brenda gjirit të Vlorës nuk ka ndalim, por Kapiteneria u kërkon drejtuesve të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të kushteve të vështira në det.

Njëkohësisht, subjekteve që ushtrojnë aktivitet detar u është kërkuar të marrin masat e nevojshme, të sigurojnë mjetet në port dhe të mbajnë në gatishmëri ekuipazhet.

Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë lundrimin normalisht sipas itinerareve të planifikuara.

Sipas Kapitenerisë së Portit Vlorë, kushtet në det pritet të përmirësohen pas orës 06:00 të së shtunës, 25 korrik.

Parashikuesit europianë të motit kanë ngritur nivelin e rrezikut për Italinë juglindore, Detin Jon dhe zonat përreth, për shkak të mundësisë për breshër të madh deri shumë të madh, erëra shkatërruese, reshje intensive, si edhe tornado të izoluara, veçanërisht në zonat bregdetare.

Sipas parashikimit, gjatë mbrëmjes dhe natës pritet që një sistem i fuqishëm stuhish të zhvillohet mbi Italinë Qendrore dhe Adriatik, për t’u zhvendosur më pas drejt jugut. Ky sistem pritet të prekë rajonin e Pulias dhe më pas brigjet lindore të Detit Jon, duke përfshirë edhe brigjet jugperëndimore të Shqipërisë dhe perëndimin e Greqisë.

Njoftimi i plotë

"Në bazë të parashikimit për përkeqësim të kushteve hidrometeorologjike detare brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, duke filluar nga ora 14:00 e datës 24.07.2026 deri në orën 06:00 të datës 25.07.2026, në drejtimin VERI–VERIPERËNDIM me forcë ere deri 6–7 bft (15–25 m/s) dhe lartësi dallgësh nga 1.50 deri 3.50 metra, ju bëjmë me dije me si më poshtë :

  1. .Është ndaluar pajisja me leje-nisje për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit që synojnë të operojnë jashtë gjirit të Vlorës, në det të hapur dhe zonën Dhërmi–Himarë, gjatë periudhës së mësipërme.
  2. 2.Mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit brenda gjirit të Vlorës duhet të marrin në konsideratë kushtet e përkeqësuara dhe të veprojnë me kujdes të shtuar.
  3. 3.Subjektet dhe institucionet që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë kërkohet të bashkëpunojnë për marrjen e masave të nevojshme, duke siguruar mjetet në port dhe duke rritur gatishmërinë e ekuipazheve.
  4. 4.Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.

Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit pritet pas orës 06:00 të datës 25.07.2026"