Ministria e Financave praktikisht ka dhënë monopol për një kompani të vetme që të kontrollojë cilësinë e nënprodukteve të naftës në treg, çka prek të gjithë përdoruesit e automjeteve, veturave, kamionëve dhe autobusëve. Deri tani këtë funksion e ka ushtruar shteti.
Llogaritet në 15 milionë euro në vit kostoja shtesë që duhet të paguajnë konsumatorët shqiptare që janë përdorues të automjeteve për shërbimin që qeveria ua ka besuar privatëve. Pritet që një masë e tillë të ndikojë edhe në rritjen e çmimit të mallrave të konsumit të gjerë që transportohen me automjete, si dhe me rritjen e biletave të transportit urban dhe interurban.
Sipas kësaj projekt-kontrate parashikohet që të rritet kostoja e karburantit me 6.5 euro për ton. Kjo kontratë është e vlefshme për 10 vjet dhe duke pasur parasysh konsumin aktual të karburantit në Shqipëri fitimi i firmës koncesionare do të jetë 1.5 milionë euro për 1 vit, që do të paguhet nga konsumatori shqiptar.
(eç/gh/shqiptarja.com)