Bien akuzat për krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Gjatë shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, trupi gjykues konstatoi se Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile, një nga kushtet për cilësimin e veprimeve si krime kundër njerëzimit.

“Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krime kundër njerëzimit, Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile”, deklaroi kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Gjykata theksoi gjithashtu se nuk është bindur që personat e shënjestruar mund të cilësohen si popullatë civile, një tjetër element i rëndësishëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Shpallja e vendimit ka nisur në orën 10:00 në Dhomat e Specializuara në Hagë, pas një procesi që zgjati afro gjashtë vjet nga arrestimet e katër ish-krerëve të UÇK-së dhe më shumë se tre vjet gjykim.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tyre. Prokuroria ka kërkuar 45 vjet burg për secilin, ndërsa trupi gjykues po shpall vendimin për secilin të akuzuar dhe për secilën nga 10 pikat e aktakuzës.

Vendimi po ndiqet me interes të madh në Kosovë dhe në Hagë. Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë është vendosur një ekran gjigant, ku mijëra qytetarë janë mbledhur për të ndjekur drejtpërdrejt seancën. Ndërkohë, qindra shqiptarë të ardhur nga Kosova dhe vende të tjera të Evropës kanë kaluar natën pranë ndërtesës së Gjykatës Speciale, në pritje të verdiktit.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:24
Haga: Smith lexon gjetjet për Jakup Krasniqin, ja çfarë provoi gjykata

1789550510_krasniqi.JPG

Gjykata në Hagë tha se Jakup Krasniqi ishte një nga personat që ndihmoi në hartimin dhe zbatimin e asaj që e cilëson qëllim të përbashkët kriminal.

Sipas gjykatësit Charles Smith, Krasniqi përdori rolin e tij si zëdhënës i UÇK-së për të promovuar politikën e shënjestrimit të kundërshtarëve, emëroi persona besnikë në pozita kyçe për zbatimin e saj dhe, megjithëse kishte dijeni për krimet që po kryheshin, nuk ndërmori hapa për t'i parandaluar ose ndëshkuar.

Gjykata tha gjithashtu se ai inkurajoi kryerjen e krimeve përmes komunikatave dhe deklaratave publike dhe se, së bashku me tre të akuzuarit e tjerë, ishte pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale.

"Krasniqi ishte anëtar kyç në formulimin e politikës së shënjestrimit të kundërshtarëve. Ai përdori rolin e tij si zëdhënës i UÇK-së për formulimin e kësaj politike. Përmes publikimit të komunikatave dhe fjalimeve publike, ai inkurajoi kryerjen e krimeve kundër kundërshtarëve, përfshirë përmes luftës speciale të UÇK-së. Ai përhapi dhe promovoi qëllimin e përbashkët kriminal. Emëroi persona besnikë në pozita kyçe dhe krijoi organe speciale me detyrën e zbatimit të politikës kundër kundërshtarëve. Në atë kohë kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh të kryera kundër kundërshtarëve, por nuk ndërmori asnjë hap për parandalimin apo ndëshkimin e tyre. Ai i mohoi këto krime dhe e portretizoi UÇK-në si një organizatë që promovonte të drejtën ndërkombëtare. Trupi gjykues konstaton se të katër të akuzuarit kishin një qëllim të përbashkët kriminal dhe synuan kryerjen e krimeve për realizimin e këtij qëllimi. Për këtë arsye, të katërt mbajnë përgjegjësi penale në kuadër të ndërmarrjes së përbashkët kriminale."

Ora 11:16
Gjykata Speciale: Selimi inkurajoi dhe mori pjesë në krime! Kishte dijeni për keqtrajtimet dhe vrasjet, por nuk ndërhyri për t’i parandaluar

Trupi gjykues konstatoi se Rexhep Selimi inkurajoi dhe mori pjesë në kryerjen e krimeve në mënyra të ndryshme. Sipas gjykatësit Charles Smith, Selimi mori pjesë edhe në arrestimin e 13 personave në Qirez.

“Rexhep Selimi ishte themelues i UÇK-së dhe anëtar i Shtabit. Ai kishte rol në shpërndarjen e komunikatave. Pozita e tij zyrtare si inspektor i përgjithshëm i dha më pak pushtet krahasuar me të tjerët. Selimi luajti rol thelbësor në zonat operative, por ky rol nuk ishte kriminal. Megjithatë, ai i inspektoi shpesh këto zona dhe mori raporte të shpeshta për persona të ndryshëm. Për shkak të përfshirjes së tij në sulmet e paraluftës, ai ishte plotësisht në dijeni se kjo ishte politika e UÇK-së. Ai emëroi persona besnikë në pozita kyçe. Shumë prej tyre kryenin krime ose ishin në dijeni të qëllimit të përbashkët. Selimi inkurajoi dhe mori pjesë në krime, në mënyra të ndryshme që përshkruhen në aktgjykim. Ai mori pjesë në arrestimin e 13 parlamentarëve në Qirez dhe ishte i pranishëm në disa vende krimesh të paraqitura në aktakuzë.

Selimi inkurajoi kryerjen e krimeve përmes pjesëmarrjes në luftë, mosmarrjes së veprimeve për parandalimin ose ndëshkimin e krimeve kur merrte raporte, si dhe krijimit të precedentit se krimet ishin të pranueshme, përmes pjesëmarrjes personale në to. Ai kishte dijeni për krimet ndaj kundërshtarëve, ndalimin e paligjshëm dhe keqtrajtimin e tyre. Kur u bë ministër i Rendit, ai ndërhyri për të siguruar lirimin e katër anëtarëve të UÇK-së, të cilët ishin ndaluar për krijimin e një qendre të paligjshme ndalimi. Ai nuk siguroi që UÇK-ja të vepronte në përputhje me detyrimet e saj sipas së drejtës humanitare ndërkombëtare. Përkundrazi, toleroi shkelje të rënda të kësaj të drejte”, tha gjyqtari.

Ora 11:15
Gjykata Speciale: Thaçi ishte anëtar kyç në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal, inkurajoi krimet ndaj kundërshtarëve

1789549720_hashimthaci.JPG

Trupi gjykues konstatoi se Hashim Thaçi dha një kontribut thelbësor në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal. Sipas gjykatësit Charles Smith, Thaçi ishte anëtar kyç në zbatimin e këtij qëllimi.

Ai dhe të akuzuarit e tjerë emëruan persona besnikë në pozita të ndryshme për të ruajtur kontrollin brenda UÇK-së gjatë gjithë periudhës përkatëse, shtoi Smith. Sipas tij, shumë prej këtyre personave kryen krime ose ishin në dijeni të kryerjes së tyre.

“Thaçi dha kontribut të qenësishëm për zbatimin e këtij plani. Ishte anëtar kyç në formulimin dhe zbatimin e tij. Shumë prej personave besnikë që u emëruan kryen krime ose ishin në dijeni të kryerjes së krimeve në përputhje me qëllimin e përbashkët. Thaçi inkurajoi kryerjen e krimeve përmes publikimit të komunikatave dhe deklaratave politike, si dhe përdorimit të luftës speciale. Thaçi shprehu tolerancë dhe inkurajoi kryerjen e krimeve kundër kundërshtarëve. Thaçi mori pjesë personalisht në krime, përfshirë arrestimin, ndalimin dhe marrjen në pyetje të 13 parlamentarëve.

Më 11 qershor 1998, Behajdin Hallaçi shkoi në shtabin e UÇK-së. Thaçi dhe Veseli e morën Behajdin Hallaçin në pranga. Ai nuk u pa më kurrë dhe trupi gjykues është i bindur se ai u vra. Për të fshehur përgjegjësinë, personat në fjalë ndërmorën masa të ndryshme. Pas luftës, Thaçi dhe Veseli u përpoqën t’i jepnin ryshfet familjes së tij, me qëllim që të hiqnin dorë nga kërkimi i së vërtetës. Edhe Shaban Dahala u vra. Trupi gjykues konstatoi se Thaçi kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh të kryera kundër kundërshtarëve, sidomos për keqtrajtimin dhe vrasjen. Ai nuk ndërmori asnjë hap për ndëshkimin apo parandalimin e këtyre krimeve. Ai mori pjesë në krime dhe i inkurajoi ato, si dhe ngriti në detyrë personat e përfshirë në këto krime”, tha Gjyqtari.

Ora 11:12
Haga për Veselin: Ishte figurë kyçe në qëllimin e përbashkët kriminal, mori pjesë dhe inkurajoi krimet

Gjykata në Hagë ka paraqitur gjetjet për rolin e Kadri Veselit në çështje, duke konstatuar se ai ishte figurë kyçe në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal.

Sipas gjykatësit Charles Smith, Veseli kontribuoi në identifikimin, sigurimin e informacioneve dhe neutralizimin e personave të konsideruar të dyshimtë. Gjykata tha gjithashtu se ai emëroi persona besnikë për zbatimin e planit, ndërsa shumë prej tyre kryen krime ose ishin në dijeni të tyre.

"Veseli dha kontribut në qëllimin e përbashkët kriminal. Ai kontribuoi në identifikimin, sigurimin e informacionit dhe neutralizimin e personave që konsideroheshin të dyshimtë. Veseli ishte anëtar kyç në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal. Ai emëroi persona besnikë për të siguruar zbatimin efektiv të planit. Shumë prej këtyre personave kryen krime ose ishin në dijeni të kryerjes së tyre. Veseli mori pjesë dhe inkurajoi krimet" tha Smith. 

Ora 11:07
Vendimi për ish-krerët e UÇK-së, të afërmit e Thaçit: Nëna e tij nuk di gjë për sot! Do t'i tregojmë vetëm nëse shpallet i pafajshëm

Foto: Hashim Thaçi me nënën

Nëna e Hashim Thaçit, Hyra nuk është në dijeni se sot do të merret vendimi nga Gjykata në Hagë.

Nëse do të lirohet katërshja e UÇK-së do t'i tregojnë e nëse jo, nuk do ia bëjnë të ditur për shkak të gjendjes shëndetësore. Kështu bën të ditur një i afërm i Thaçit, shkruan KosovaPress.

"Nuk e di. Nuk i kanë treguar. E nëse na gëzon Zoti, atëherë do ta lajmërojmë. E nëse dënohet nuk mundemi t’i tregojmë gjë", tha kushëriri.

Ai tha se gjatë këtyre viteve kanë ndjerë mungesë të madhe të tij dhe se presin të lirohen e të vijnë në shtëpi.

"Po presim që sa më parë të lirohet, na ka munguar shumë Hashimi, si prind, si për shoqëri, si për krejt Kosovën", tha ai.

Ora 11:05
Vendimi për Thaçin e të tjerët, trupi gjykues: 96 persona u vranë nga pjesëtarë të UÇK-së! U vërtetuan trajtimi mizor dhe tortura

1789549526_seancahage.JPG

Trupi gjykues konstatoi se, ndërmjet prillit të vitit 1998 dhe qershorit të vitit 1999, në 12 komuna të Kosovës dhe në një rreth në Shqipëri, pjesëtarë të UÇK-së kryen veprime që çuan në vrasjen e 96 personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Trupi gjykues konstatoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar arriti të vërtetojë kryerjen e krimeve të luftës të trajtimit mizor dhe torturës ndaj disa personave në Kosovë dhe në dy qarqe të Shqipërisë.

Gjykata në Hagë ka konstatuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka vërtetuar akuzat për krime lufte që lidhen me trajtimin mizor dhe torturën ndaj disa personave në Kosovë dhe në dy qarqe të Shqipërisë. Po ashtu, trupi gjykues ka konstatuar se, ndërmjet prillit 1998 dhe qershorit 1999, në 12 komuna të Kosovës dhe në një rreth të Shqipërisë, pjesëtarë të UÇK-së kryen veprime që çuan në vrasjen e 96 personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Ora 11:03
Haga: Gjykata pranon akuzën për 'qëllim të përbashkët kriminal', ja çfarë tha për katër komandantët e UÇK-së

1789549386_seancahage.JPG

Gjykata në Hagë kaloi te një nga pikat kyçe të aktakuzës, ajo e qëllimit të përbashkët kriminal.

Sipas trupit gjykues, Prokuroria arriti të provojë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi vepruan së bashku dhe arritën marrëveshje për një qëllim të përbashkët kriminal, ndërsa përgjegjësia e secilit prej tyre mbetet individuale.

Gjatë leximit të aktgjykimit, gjykatësi Charles Smith tha se katër të akuzuarit ngritën bashkërisht objekte ndalimi, u caktuan personave të tjerë role dhe detyra për realizimin e këtij qëllimi dhe lëshuan komunikata përmes të cilave, sipas gjykatës, "përhapnin qëndrimet dhe politikat e tyre".

“Trupi Gjykues konstatoi se të katër të akuzuarit kishin të njëjtin qëndrim se elementë kyç i mjeteve dhe strategjisë për realizimin e qëllimeve ishin shënjestrimi, eliminimi ose neutralizimi i disa personave të cilat konsideroheshin si pengesë. Shënjeshtrimi i kundërshtarëve mori formën e vrasjeve, ndalimit arrestimit, keqtrajtimit fizik dhe psikologjik dhe forma të tjera të keqtrajtimit”, tha ai.

Ora 10:57
Haga: Serbëve të ndaluar iu shkulën thonjtë, u thyen gjymtyrët dhe disa vuajnë ende pasojat

1789548765_krasniqiveseli.JPG

Gjatë leximit të aktgjykimit, trupi gjykues paraqiti gjetjet që, sipas tij, lidhen me keqtrajtimin e serbëve të ndaluar në qendrat e ndalimit të UÇK-së.

Sipas gjykatësit Charles Smith, disa prej tyre kishin thonj të shkulur dhe gjymtyrë të thyera si pasojë e keqtrajtimit. Ai tha se disa vazhdojnë të kenë dhimbje edhe sot ose nuk janë në gjendje të ecin.

Smith shtoi se shumë dëshmitarë kanë folur edhe për pasojat afatgjata, duke përmendur depresionin dhe problemet me gjumin.

Në vijim, ai tha se shumë prej serbëve të ndaluar ishin rrahur deri në atë masë sa nuk mund të qëndronin në këmbë, ndërsa disa humbën jetën si pasojë e rrahjeve nga pjesëtarë të UÇK-së. Ai shtoi se atyre u ishin shkaktuar edhe vuajtje psikologjike.

Ora 10:53
'Do t'ju vrasim', çfarë tha Haga se u thuhej të ndaluarve serbë në qendrat e UÇK-së

1789548900_seancahage.JPG

Gjatë leximit të aktgjykimit, trupi gjykues paraqiti gjetjet që, sipas tij, lidhen me trajtimin e personave që u mbajtën në qendrat e ndalimit të UÇK-së gjatë luftës në Kosovë.

"Trupi gjykues konstatoi se shumë anëtarë të UÇK-së i keqtrajtuan fizikisht personat e ndaluar. Në disa raste, të ndaluarit detyroheshin të rrihnin njëri-tjetrin. Anëtarët e UÇK-së u shkaktuan të ndaluarve edhe vuajtje psikologjike dhe, në shumë qendra ndalimi, atyre u thuhej se do të vriteshin. Gjykata konstaton se këto veprime tregojnë të paktën se personat e përmendur në aktgjykim synonin t'u shkaktonin atyre dhimbje fizike" tha Smith. 

Ora 10:47
Verdikti në Hagë, Smith: 385 persona u ndaluan arbitrarisht nga anëtarët e UÇK-së (VIDEO)

 

Teksa po lexon aktgjykimin, trupi gjykues po rendit atë që, sipas provave të shqyrtuara gjatë procesit, ka ndodhur me personat e ndaluar nga ish komandantët e UCK-së gjatë luftës në Kosovë.

"Shumë viktima u arrestuan në shtëpitë e tyre ose në rrugë. Shumë prej tyre u rrahën, u keqtrajtuan dhe iu konfiskuan sendet personale. Provat tregojnë se ata u ndaluan si 'bashkëpunëtorë' ose 'spiunë'. Shumë prej të ndaluarve ishin të lidhur me zinxhirë. Ndër ta kishte mësues, bujq, si edhe në disa raste gra dhe fëmijë. Nuk ka prova që ndonjëri prej tyre të ketë qenë i përfshirë në veprimtari kriminale apo në aktivitete që mund të përbënin kërcënim për UÇK-në. Viktimat u mbajtën në ndalim mbi bazën e thashethemeve. Midis prillit 1998 dhe qershorit 1999, në 14 komuna të Kosovës, anëtarë të UÇK-së kryen veprime ose mosveprime ndaj 385 personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Trupi gjykues konstaton se Zyra e Prokurorit të Specializuar i vërtetoi krimet e luftës. Gjithashtu, trupi gjykues konstatoi se në qendrat e ndalimit në Kosovë dhe Shqipëri u krijuan kushte çnjerëzore ndalimi, në ambiente si shkolla, stalla dhe bodrume" tha Smith.

Ora 10:40
Haga: Nuk u provua se kishte sulm të përhapur ndaj popullatës civile, bie akuza për krime kundër njerëzimit (VIDEO)

 

Trupi gjykues në Hagë deklaroi se Prokuroria nuk arriti të vërtetojë një nga elementët kyç të akuzave për krime kundër njerëzimit.

Gjatë leximit të aktgjykimit, kryesuesi i trupit gjykues tha se nuk u provua ekzistenca e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile, kusht i domosdoshëm për këto akuza.

"Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krime kundër njerëzimit, Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile", deklaroi kryetari i trupit gjykues gjatë seancës.

“Incidentet mbi të cilat bazohen akuzat për krime lufte, nuk mund të cilësohen si krime lufte… Rrjedhimisht Trupi gjykues konstatoi se nuk përmbushen kriteret për këtë”, tha Smith.

Ora 10:38
Haga rrëzon një nga pretendimet e Prokurorisë: Nuk u dëshmua se personat e shënjestruar ishin popullatë civile (VIDEO)

 

Një nga konkluzionet e para të trupit gjykues gjatë leximit të aktgjykimit lidhet me akuzat për krime kundër njerëzimit.

Gjatë seancës, gjyqtarët deklaruan se nuk janë bindur se personat e shënjestruar mund të cilësohen si "popullatë civile", një element që lidhet me vlerësimin e këtyre akuzave.

Ky është një nga vlerësimet që trupi gjykues po paraqet gjatë leximit të aktgjykimit, ndërsa seanca në Hagë vijon.

Ora 10:35
Verdikti në Hagë/ Nga Rugova te dalja e UÇK-së, Smith rikthen historinë e Kosovës në nisje të aktgjykimit (VIDEO)

 

Përpara se të hynte në shqyrtimin e çështjes ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, kryesuesi i trupit gjykues, Charles Smith, paraqiti rrethanat historike që, sipas gjykatës, paraprinë ngjarjet që po shqyrtohen në këtë proces.

"Në dhjetor 1989 u krijua LDK-ja, e udhëhequr nga Ibrahim Rugova, e cila ishte një nga partitë kryesore politike në Kosovë. Kundërshtimi i regjimit serb në Kosovë do ta çonte vendin drejt pavarësisë, fillimisht përmes metodave paqësore, por më vonë nisi të mbështetej edhe rezistenca e armatosur. Në fillim të viteve ’90, në Kosovë nisi rezistenca e armatosur, e udhëhequr nga LPRK-ja, e cila më pas u quajt Lëvizja Popullore e Kosovës. Në prill 1993 nisën përgatitjet për luftë të armatosur, ku përfshiheshin edhe sulmet kundër forcave serbe. UÇK-ja u shfaq në vitet ’90 dhe paraqitjen e saj publike e bëri më 28 nëntor 1997. Ndër synimet e UÇK-së ishte pavarësia e Kosovës" tha ai. 

Ky ishte kapitulli i parë i leximit të aktgjykimit, përpara se trupi gjykues të kalonte te analiza e akuzave dhe provave ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Ora 10:17
Haga nis leximin e vendimit ndaj Thaçit, gjyqtari Smith: Kjo çështje nuk ka të bëjë me pastërtinë e luftës së UÇK-së (VIDEO)

 

Me një mesazh të qartë për mënyrën si duhet parë procesi, kryesuesi i trupit gjykues, gjyqtari amerikan Charles Smith, hapi leximin e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Smith theksoi se procesi në Hagë "nuk ka të bëjë me pastërtinë e luftës çlirimtare të Kosovës" dhe "nuk ka të bëjë me Kosovën e pavarur", duke sqaruar se gjykimi lidhet vetëm me akuzat e ngritura ndaj katër të pandehurve.

"Kjo çështje nuk ka të bëjë me Kosovën e pavarur. Kjo çështje nuk ka të bëjë me veprimet e forcave ushtarake serbe. Ka të bëjë vetëm me pretendimet për veprimet e kryera nga të akuzuarit. Përgjegjësia është vetëm personale", tha ai. 

Në nisje të seancës, ai deklaroi gjithashtu se "aktgjykimi shqiptohet publikisht në emër të popullit të Kosovës", ndërsa u kërkoi të gjithë të pranishmëve në sallë të ruajnë qetësinë. Smith paralajmëroi se, nëse do të ketë ndërhyrje apo prishje të rendit, gjykata do të marrë masat e parashikuara.

Ora 10:00
Kosovën mban frymën pezull, në Hagë nis seanca e shpalljes së vendimit ndaj krerëve të UÇK-së, Charles Smith kryeson trupin gjykues

Zyrtarisht ka nisur në Dhomat e Specializuara në Hagë seanca ku do të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Trupi gjykues do ta lexojë vendimin individualisht për secilin prej të akuzuarve, duke u ndalur në dhjetë pikat e aktakuzës. Procesi pritet të zgjasë rreth dy orë.

Seanca po zhvillohet në prani të të akuzuarve, ekipeve të mbrojtjes, Prokurorisë dhe familjarëve, ndërsa jashtë ndërtesës së gjykatës janë mbledhur qindra shqiptarë në pritje të verdiktit.

Në të njëjtën kohë, në sheshin "Skënderbeu" në Prishtinë, qindra qytetarë po e ndjekin seancën në ekranin e madh të vendosur nga organizatorët. Edhe në Hagë, nisja e seancës u prit me brohorima. 

Report TV do të përcjellë në kohë reale çdo zhvillim dhe vendim që do të lexohet nga trupi gjykues.

Ora 09:50
Hoxhaj për ish-krerët e UÇK-së: Presim që të shpallen të pafajshëm, është i vetmi opsion (VIDEO)

 

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj në një deklaratë për mediat tha se pret që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi të shpallen të pafajshëm.

“Ne presim sot që të shpallen të pafajshëm. Ata kanë qenë të pafajshëm dje, do të shpallen të pafajshëm sot, do jenë të pafajshëm përgjithmonë, në zemrën dhe mendjen e çdo qytetari të Kosovës. Jemi të bindur që i vetmi opsion, e vetmja alternativë, i vetmi vendim që duhet të sillet sot është shpallja e tyre të pafajshëm, lirimi i tyre dhe kthimi i tyre në Kosovë, pranë familjes dhe që të jetojnë të lirë e t’i kthehen vendit”, ka thënë Hoxhaj.

Ora 09:45
Në pritje të verdiktit në Hagë, vëllezërit e Thaçit dhe Krasniqit: Besojmë në luftën e pastër të UÇK-së, nuk ka arsye për dënim (VIDEO)

 

Pak para shpalljes së vendimit për katër ish-krerët e UÇK-së në Hagë, familjarët e tyre kanë shprehur besimin se gjykata do t’i lirojë.  Vëllai i ish-presidentit Hashim Thaçi, në një deklaratë për mediat, tha se beson në drejtësi dhe në luftën e pastër të UÇK-së. Ai bëri të ditur se pothuajse të gjithë familjarët ndodhen në Hagë për të ndjekur shpalljen e vendimit.

“Besojmë në luftën e pastër të UÇK-së, besojmë në drejtësi. Të gjithë familjarët janë atje”, tha ai.

Edhe vëllai i Jakup Krasniqit, Avdyl Krasniqi, u shpreh se familja po e pret prej kohësh këtë vendim dhe shpreson të marrë një lajm të mirë, pafajësi për liderët e UÇK-së.

“Vendimin jemi duke e pritur bukur gjatë, po besoj se sot i ka ardhur fundi dhe e dëgjojmë një lajm të mirë. Obligimin jetësor me kohë e kanë kryer për të mirën e Kosovës dhe të popullit të saj”, u shpreh ai.

Avdyl Krasniqi ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi dëshmitë e paraqitura gjatë procesit, duke pretenduar se një pjesë e tyre ishin joserioze dhe se disa të dhëna vinin nga Serbia. Ai shprehu shpresën që gjykata të vendosë mbi bazën e provave dhe fakteve.

Ora 09:19
Djali i Jakup Krasniqit flet para se të futet në Hagë: Krenar për UÇK-në, katër liderët besoj se do lirohen (VIDEO)

 

Altini, djali i Jakup Krasniqit, teksa hynte në Gjykatën Speciale në Hagë, u shpreh optimist se katër ish-krerët e UÇK-së do të lirohen dhe do të kthehen në Kosovë.

Ai theksoi se, pavarësisht vendimit, ai dhe populli shqiptar janë krenarë për ish-krerët e UÇK-së dhe luftën e tyre.

“Besoj se vendimi do të jetë lirues. Cilido që të jetë vendimi, unë jam krenar për secilin, për UÇK-në dhe për çdo gjë që kanë bërë për ne. Për ne dhe për këta është një mbështetje e madhe që populli është me UÇK-në. Diçka që dëshirojmë është që populli ta dijë vlerën e UÇK-së”, tha ai.

Ora 09:12
Sot verdikti i Hagës/ Konjufca: Presim vetëm një vendim, lirimin e katër ish-krerëve të UÇK-së (VIDEO)

 

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, teksa hynte në Gjykatën Speciale në Hagë, u shpreh se pret vetëm një vendim nga trupi gjykues: lirimin e të katër ish-krerëve të UÇK-së.

"Presim vetëm një vendim. Një vendim që i liron të gjithë ish krerët e UÇK", tha Konjufca. 

Ora 09:07
Në pritje të verdiktit në Hagë, familjarët e ish-krerëve të UÇK-së hyjnë në Gjykatën Speciale! Mes tyre djali i Thaçit (VIDEO)

 

Familjarët e ish-krerëve të UÇK-së janë parë teksa kanë hyrë brenda Gjykatës Speciale në Hagë.

Sipas raportimeve, duke hyrë u panë Endrit Thaçi, djali i Hashim Thaçit, si dhe gruaja dhe i biri i Rexhep Selimit.

Pos tyre, ka edhe shumë familjarë të tjerë të akredituar që po presin për të hyrë në Galerinë e Publikut për të parë nga afër seancën më të rëndësishme për katërshen e UÇK-së.

Ora 08:33
'Largohuni ose do përdorim forcën', tension para Speciales në Hagë para vendimit për liderët e UÇK! Protestuesit përplasen verbalisht me policinë holandeze

Pak para nisjes së seancës në Hagë, situata u tensionua jashtë Dhomave të Specializuara, ku janë mbledhur qindra shqiptarë në pritje të verdiktit për katër ish-krerët e UÇK-së.

Policia holandeze u kërkoi disa herë protestuesve të largoheshin nga hyrja e gjykatës dhe të zhvendoseshin në parkun ku autoritetet kanë lejuar zhvillimin e protestës. Efektivët paralajmëruan se, nëse urdhri nuk zbatohej, do të përdornin forcën për t'i larguar.

Paralajmërimi shkaktoi reagime nga disa prej të pranishmëve, të cilët nisën të fyenin policët holandezë, duke sjellë momente tensioni dhe përplasje verbale. Pas urdhrit të tretë të policisë, situata u qetësua dhe thirrjet ndaj efektivëve u ndalën.

Në ato momente, Hysni Gucati, ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), iu drejtua protestuesve me një apel për qetësi.

"S'kemi punë me policinë holandeze",  tha ai duke u kërkuar të pranishmëve të shmangin çdo përplasje me autoritetet.

Ora 08:26
‘Heronj të luftës dhe paqes’, makinat në Kosovë ‘vishen kuqezi’ për liderët e UÇK-së (VIDEO)

Në pritje të vendimit për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, makinat në Kosovë janë mbuluar me flamujt kuqezi dhe portretet e liderëve të UÇK-së.

Në pamjet që sjell Report Tv, në një prej automjeteve shihet një flamur me mbishkrimi “Heronj të luftës dhe paqes”, në shenjë mbështetjeje për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Ora 08:24
Pak para verdiktit në Hagë, mbrojtësi i Thaçit: Do të flas pas vendimit

Pak para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, mbrojtësi i Hashim Thaçit, Luka Mishetiç, ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat.

Ai nuk ka preferuar të komentojë para vendimit të trupit gjykues.

“Do të flas pas vendimit”, tha Mishetiç.

Ora 06:57
Ja si e gjeti mëngjesi Prishtinën! Qytetarët presin verdiktin për liderët e UÇK në shesh (VIDEO)

Pas një nate të kaluar në shesh me këngë, flamuj dhe pranë "Flakës së Lirisë", dhjetëra qytetarë vijojnë të qëndrojnë edhe këtë mëngjes në sheshin "Skënderbeu", ku është vendosur ekrani nga ku do të ndiqet shpallja e vendimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Siç raporton gazetari i Report TV, Isa Myzyraj, qytetarët po presin nisjen e seancës në Hagë, e cila fillon në orën 10:00, ndërsa numri i të pranishmëve në shesh vijon të shtohet.

Ora 06:37
Rreth zjarrit deri në agim! Kështu e kaluan natën qytetarët e Kosovës në pritje të vendimit të Hagës ndaj ish krerëve të UÇK-së (VIDEO)

Nata në Prishtinë kaloi ndryshe. Që pas mesnate, sheshi "Skënderbeu" nuk u boshatis asnjë moment. Rreth zjarrit u mblodhën burra e gra, djem e vajza, të ardhur nga qytete të ndryshme të Kosovës, për të pritur bashkë mëngjesin e vendimit të Hagës për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.  

Dikush i binte kitarës, tjetri çiftelisë  të gjithë ia merrnin këngës. Herë dëgjohej "Mora fjalë", herë këngët patriotike kushtuar ish-drejtuesve të UÇK-së.

Në kor këndohej: "T'fala Parisit e t'fala Brukselit, jem ushtar të Kadri Veselit...", ndërsa flamujt e UÇK-së shpaloseshin me krenari. 

Nuk munguan as kafeja e ngrohtë, as bisedat që zgjatën deri në agim. Disa u ulën pranë zjarrit, të tjerë qëndruan në këmbë për orë të tëra. Askush nuk kishte ardhur vetëm për të kaluar natën. Të gjithë prisnin të njëjtin moment: orën 10:00, kur nga Haga do të lexohet vendimi.