Privatizimi i  PTK-së, Behgjet
Paçolli shprehet i pakënaqu

Privatizimi i  PTK-së, Behgjet <br />Paçolli shprehet i pakënaqu
Zëvendëskryeministri i parë Behgjet Pacolli ka reaguar pas publikimit të ofertës për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës prej 277 milionë eurosh.

Sido që të jetë në një editorial të cilën e ka dërguar në adresë të gazetës, Pacolli ka zgjedhur fjalët duke mos kritikuar ashpër.

“Dje u bë publike oferta për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës, prej 277 milion eurosh. Një “sukses”, ky që rezulton me shitjen e 75 për qind të aksioneve të kompanisë publike më profitabile në vend” ka shkruar ai.

Pacolli ka insistuar se Posta nuk duhet shitur derisa ka propozuar një plan të tij se çfarë duhet bërë me këtë kompani publike.

“Sigurisht ju kujtohet një propozim që në vitin 2010, ne, AKR-ja edhe pse në opozitë, patëm bërë pas konsultave direkte me disa investitorë të mëdhenj britanikë. Ai propozim, nuk parashihte shitjen e këtij aseti të madh dhe të suksesshëm. Sipas atij propozimi konkret edhe me shkrim(shikojeni linkun http://ëëë.akr-ks.eu/articles/75), qeverisë së Kosovës i ofrohej mundësia që të jepte në menaxhim PTK-në në një periudhë 6 vjeqare, duke përfituar një kredi nga 300 deri në 500 milion euro. Gjatë kësaj periudhe, PTK-ja do të modernizohej si kompani, do të rikonsolidohej ndërsa në përfundim të marrëveshjes 6 vjeçare, qeveria e Kosovës do të rikthehej si pronare e të gjitha aseteve të saj” ka thënë Pacolli.

Në reagimin e tij Pacolli ka shtruar edhe shqetësime të tjera të tij duke përmendur edhe çështjen e Grandit si dhe ka argumentuar emocionalisht se pse Presidenti duhet të zgjidhet drejtpërdrejtë.

Lideri i AKR’së po ashtu ka thënë se nuk i janë shuar shpresat për ta marrë Ministrin e Zhvillimit Ekonomik.

“Me kryeministrin Thaçi tani jemi në proces të transferit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe qytetarët e Kosovës do ta ndiejnë efektin e menjëhershëm të reformave, pasi që jam i bindur se nuk do të mungojë edhe vullneti i partnerit tim të koalicionit” ka thënë ai.

LDK dhe VV: PTK s’duhet të privatizohet

LDK dhe Vetëvendosje kanë kundërshtuar shitjen e PTK’së në vlerë prej 277 milionë euro. Këto dy parti kanë paralajmëruar se do të përdorin fuqinë parlamentare për të mos lejuar faljen e PTK’së.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka konstatuar se shitja e PTK’në në vlerë prej 277 milion euro është dështim i Qeverisë së Kosovës.

Sipas kësaj partie, PTK nuk po shitet por po falet pasi vlera e saj është shumë më e madhe sesa çmimi i shitur.

“Vetëm 277 milion euro për 75% të aksioneve të PTK-së, kompania e cila vetëm në 5 vitet e fundit ka kontribuar në buxhetin e shtetit me mbi 320 milion euro. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës shpallja e fituesit nga ana e Komitetit të privatizimit me ofertë financiare prej 277 milionë euro, nga kompania “Axos GMBH” në konsorcium me “Najafi Companies”, është kulmi i dështimeve të Qeverisë Thaçi 2. Kjo Qeveri po falë asetet e vendit”, thuhet në reagimin e LDK’së.

Sipas njoftimit, Qeveria e Kosovës kishte përcaktuar më herët çmimin në buxhetin e vitit 2011.

“Qeveria po shet PTK-në për të paguar faturat e Bechtelit dhe shpenzimet e saj operative”, thuhet më tej në reagim.

Partia e Isa Mustafës ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka vendim të Kuvendit për të privatizuar Postën dhe Telekomin e Kosovës.

“LDK vlerëson se privatizimi i PTK-së duhet të pezullohet tani dhe nuk duhet të procedohet tutje për arsye se Qeveria nuk ka bazë ligjore për të privatizuar këtë aset. Në ndërkohë, duhet të përgatitet një strategji e re që do të definonte: (i) objektivat që do të arrihen në të ardhmen në këtë sektor pas privatizimit, (ii) një plan për ristrukturimin e PTK-së dhe rritjen e vlerës së tregut dhe (iii) kompletimin e bazës ligjore për avancimin e shërbimeve të teknologjisë telekomunikuese në Kosovë”, përfundon reagimi i LDK’së.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas publikimit të ofertave për shitjen e PTK’së.

“Tentimi i shitjes së kompanisë të vetme fitimprurëse publike dëshmon moton e kësaj qeverie e që është privatizimi i çfarëdo fitimi në shoqëri, dhe socializimi i humbjeve. Pra, kur një kompani në pronë publike fiton, sipas qeverisë këtë fitim duhet të ja bartim një kompanie të huaj, e në qoftë se kemi humbje atëherë atë humbje duhet ta paguajnë tatimpaguesit në Kosovë”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Sipas Lëvizjes së Albin Kurtit gjithçka sa i përket PTK’së është e manipuluar dhe pa vendim të Kuvendit.

“Procesi që nga fillimi ka qenë një process i padrejtë dhe kundër interesave të Kosovës. Gjatë gjithë këtij procesi, Kuvendi i Kosovës, si organi më i lartë vendimmarrës në Republikën e Kosovës është mbajtur jashtë procesit të vendimmarrjes. Për një aset të tillë nacional, vendimi për privatizimin e tij është tentuar të kontrabandohet përmes Ligjit për buxhetin. Pasi dështoi privatizimi atë vit, Qeveria nuk solli asnjëherë në Kuvend vendimin për privatizimin e PTK-së”.

Partia e tretë në Kosovës ka paralajmëruar se do të përdor të gjitha mjetet për të mos lejuar shtijen e PTK’së.

“Lëvizja VETËVENDOSJE do ta kundërshtojë këtë proces deri në fund. I ftojmë të gjithë qytetarët, grupet politike e shoqërore në bashkërendim të aktiviteteve për të parandaluar këtë proces të dëmshëm për qytetarin e Kosovës”, përfundon njoftimi i Vetëvendosjes.

Marrë nga Express
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset