logo
PRISHTINË, 16 Gusht /ATSH-B.Jashari/.-Nis sonte në Prizren edicioni i 13-të i "DokuFest", festivali tradicional ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër me pjesëmarrje nga 56 shtete, me 237 filma të përzgjedhur nga numri rekord prej 2.400 aplikime, të cilët do të shfaqen deri në 24 gusht.
"DokuFest" në këtë edicion mbështetet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë. Kjo mbështetje është pjesë e marrëveshjes ndërkulturore të qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës për një kalendar të përbashkët kulturor të dy vendeve.
"2014-a është një vit i shënuar me ngjarje të jashtëzakonshme, ndaj ndihem i mahnitur me faktin se sa shumë përzgjedhja jonë e filmave i pasqyron këto ndodhi dhe sa shumë filmbërësit e vënë veten në ballë të këtyre ndodhive në mënyrë që të kthehen me tregime", shprehet Veton Nurkollari, drejtor artistik i "DokuFest".
"DokuFest" e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, në një kryeqytet filmi çdo verë./m.m/