Pas rasteve të përsëritura të keqpërdorimit të pesticideve, degradimit të tokës bujqësore dhe humbjeve ekonomike për fermerët, qeveria synon të vendosë për herë të parë nën rregulla të qarta profesionin e agronomit. Njëjtë si mjekët, stomatologët, veterinerët apo avokatët, etj, edhe agronomët do të kenë urdhrin e tyre.

Përmes projektligjit të ri “Për Urdhrin e Agronomit në Republikën e Shqipërisë”, të hedhur në konsultim publik nga Ministria e Bujqësisë parashikohet krijimi i një institucioni vetërregullues që do të licencojë, mbikëqyrë dhe disiplinojë profesionistët e fushës, me synimin për të garantuar sigurinë ushqimore, mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve bujqësore.

“Mungesa e rregullimit institucional të profesionit të agronomit ka krijuar një boshllëk në cilësinë e shërbimeve bujqësore, në besueshmërinë e ekspertizës profesionale, dhe në mbrojtjen e interesit publik në fushat jetike të sigurisë ushqimore, menaxhimit të tokës dhe mbrojtjes së mjedisit”, thuhet në relacion.

Në relacion thuhet se mungesa e këtij urdhri ka sjellë pasoja serioze në disa aspekte nga siguria ushqimore, tek humbjet ekonomike e deri mungesë ndëshkimi kur agronomi nuk jep këshillat e duhura.

“Raportet e ISHP dhe inspektorateve bujqësore dokumentojnë raste të qarta keqpërdorimi të pesticideve, plehrave kimike dhe produkteve fitosanitare nga persona pa formim profesional. Kjo ka sjellë që produktet ushqimore të rezultojnë me ngarkesë kimike mbi kufijtë e lejueshëm të BE-së, duke shkaktuar kthim mallrash dhe humbje eksporti”, thuhet në relacion.

Më tej për shkak se agronomët kanë gabuar në vendimet e tyre, 35% e tokave bujqësore shfaqin shenja degradimi vijon më tej relacioni, ndërsa thekson se fermerët kanë humbur 25% të prodhimit për shkak se kanë marrë këshillime nga individë pa kualifikim formal.

“Aktualisht, edhe në rastet kur një agronom ofron shërbime ose këshilla të gabuara që mund të sjellin pasoja të dëmshme për aktivitetin bujqësor, nuk ekziston një kuadër ligjor që të parashikojë masa disiplinore profesionale, përveç ndjekjes në rrugë civile ose penale. Këto mekanizma nuk sigurojnë një sistem të qëndrueshëm mbikëqyrjeje dhe përgjegjshmërie profesionale për ushtrimin e profesionit në përputhje me standardet e duhura”, vijon më tej relacioni.

Kostot e parashikuara për ngritjen, organizimin dhe funksionimin e Urdhrit të Agronomit përllogaritet në shumën 42,271,152 lekë.