Për vite, ndërtimet pranë monumenteve të kulturës apo ndërhyrjet në to me projekte të pastudiuara kanë rrezikuar pjesë të trashëgimisë sonë kulturore, por tashmë, ndryshimet në projektligjin e ri përpiqen të korrigjojnë këtë problematikë.
Një ndër risitë më të rëndësishme të projektligjit për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, i hedhur së fundmi në konsultim e që propozon disa shtesa e ndryshime në ligjin e vitit 2018, është futja për herë të parë e Vlerësimit të Ndikimit në Trashëgiminë Kulturore.
Përpara miratimit të projekteve që mund të prekin monumentet, zonat historike apo pasuritë e mbrojtura, do të duhet të vlerësohen ndikimet e mundshme mbi vlerat historike, autenticitetin dhe integritetin e tyre. Ky detyrim parashikohet edhe për projekte që mund të ndikojnë në pasuritë e UNESCO-s dhe zonat e mbrojtura.
Një tjetër risi prek drejtpërdrejt pronarët privatë. Për herë të parë parashikohet një mekanizëm i posaçëm për mbështetjen financiare të pasurive kulturore jopublike. Shteti mund të japë grante, të bashkëfinancojë apo të kontribuojë në natyrë për mirëmbajtjen, konservimin dhe restaurimin e tyre, brenda fondeve buxhetore të miratuara.
Ndryshime propozohen edhe në administrimin e të ardhurave. Sipas projektligjit, 90 për qind e të ardhurave nga shërbimet dhe përdorimi i pasurive kulturore do të kalojnë në administrimin e ministrisë përgjegjëse, ndërsa 10 për qind do të trajtohen sipas legjislacionit buxhetor.
Një pjesë e fondit prej 90 për qind do të përdoret për mirëmbajtjen, sigurinë dhe shërbimet për publikun, ndërsa pjesa tjetër do të kalojë në Fondin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
Projektligji synon gjithashtu të adresojë vonesat dhe paqartësitë institucionale në identifikimin dhe deklarimin e pasurive kulturore.
Në relacionin shoqërues evidentohen si problematika të deritanishme pikërisht “vonesat në përfundimin e procedurave të verifikimit” dhe mungesa e qartësisë në ndarjen e përgjegjësive.
Në fokus është edhe kontrolli i lëvizjes së objekteve kulturore përtej kufijve, përmes një zyre të posaçme për import-eksportin pranë institucionit përgjegjës, në bashkëpunim me doganat dhe Policinë e Shtetit.
Ndërkohë, rishikohet edhe koncepti i muzeut, në përputhje me përkufizimin e ri të Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve, ICOM, duke i dhënë më shumë rëndësi rolit edukues, gjithëpërfshirës dhe shoqëror të këtyre institucioneve.
Projektligji është aktualisht në konsultim publik deri më 3 dhjetor. Ai synon që mbrojtja e trashëgimisë kulturore të mos kufizohet vetëm te restaurimi i monumenteve, por të nisë që në fazën e planifikimit të çdo ndërhyrjeje që mund të prekë vlerat e tyre.






Komente
Komento