Komisioni i Ekonomisë i dha dritën jeshile projektligjit me 136 nene "Për sektorin e energjisë elektrike" i cili synon shfrytëzimin e çdo burimi të mundshëm prodhimi energjie.

Për herë të parë në këtë projektligj futet koncepti i ‘klientit aktiv’, që janë vetëprodhuesit të cilët, ndryshe nga sa ndodh tani që tepricën e energjisë së gjeneruar e hedhin në rrjet, do të mund ta shesin atë dhe tek klientë të tjerë.

“Kemi futur konceptin e “klientit aktiv” por tashmë ai është prodhues, vetëprodhues për konsumin e vet, por edhe shet tepricën e tij, sipas rregullave të caktuara në ligj”, tha Muçaj.

Po në kuadër të këtij ligji të ri, qeveria po bëhet gati për të rishikuar mënyrën se si bëhet kompensimi për çmimin e energjisë elektrike për pensionistët, por në Komision nuk u ndanë të tjera detaje, pasi do të miratohet me VKM.

“Nëpërmjet këtij ligji synohet të reformohet edhe mbështetja e klientëve në nevojë, e cila tashmë është e përcaktuar tek pensioni, do të rishikohet dhe është një dokument i ri që po hartohet nga ministria, dhe do të ketë një mënyrë të re për kompensim”, thotë Gledis Kalemi, përfaqësues nga MIE.

Nisma e re ligjore synon më shumë vëmendje edhe matësve inteligjentë, për të pasur faturim sa më transparent, por përpara se të kalohet në këtë fazë, do të bëhet një analizë kosto-përfitim.

“Në rastin e një analize kosto-përfitim për OSSH, matësit inteligjentë do të jenë pa pagesë”, tha Gledis Kalemi, përfaqësues nga MIE.

Edhe me ligjin e ri konsumatorët familjarë, do të vazhdojnë ta paguajnë energjinë me çmime të rregulluara nga shteti, si dhe do të jenë në fuqi të njëjtat detyrime nëse nuk paguhet fatura e energjisë, ndërprerje e dritave, gjoba dhe deri barrë hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet me energji elektrike. Ndryshimet, vijnë si nevojë për t’u përputhur me direktivat e BE-së.