Pas pak javësh, kësaj legjislature parlamentare po i vjen fundi. Shumica e deputetëve aktualë nuk do të jenë më në shtator, kur do të nisë punën Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 11 maj.
Në fund të këtij 4 vjeçari, rezulton se pjesa dërrmuese e ligjeve të miratuara nga Parlamenti janë ato të sjella nga qeveria. Pak janë iniciativat të marra nga vetë ligjvënësit, ndërsa një pjesë e mirë e tyre presin në sirtarët e Kuvendit, disa që nga viti 2021.
Janë 61 projektligje të depozituara nga deputetët që nuk e panë kurrë dritën e votimit në seancë plenare, dhe zor se javët e ngelura në dispozicion mund të mjaftojnë për të pastruar sirtarët e pluhurosur të Kuvendit.
38 nga 61 nisma ligjore të braktisura, i takojnë opozitës. Një nga instrumentet parësorë të pakicës parlamentare është propozimi i ligjeve, por të dhënat e grumbulluara nga Report TV, konfirmojnë se edhe kur demokratët kanë propozuar nisma, mazhoranca socialiste nuk i ka paraqitur për votim, jo domosdoshmërisht për t’i miratuar, por as për t’i rrëzuar nëse nuk pajtohet me to.
Mes iniciativa të opozitës bien në sy ato për dekriminalizimin, Kodin Zgjedhor, ndarjen territoriale apo minimumin jetik.
Gjithsesi, punët e pakryera nga Kuvendi nuk përfshijnë vetëm projektligjet e firmosura nga opozita.
23 akte të harruara janë nënshkruar nga deputetë të Partisë Socialiste. Kështu, mazhoranca e la në mes betejën e saj për të ndaluar që bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit apo partisë komuniste të bëheshin deputetë apo kryetarë partish.
Kur ishte kryetare Kuvendi, Lindita Nikolla në vitin 2022, depozitoi me bujë një projektligj për të parandaluar dhunën në familje. Por edhe pse ajo ishte drejtuese e Parlamenti, iniciativa, kurrë nuk u shqyrtua.
Ka edhe nga ato raste, kur projektligji ka kaluar të gjitha fazat në komisionet parlamentare dhe nuk është kaluar për votë finale në seancë plenare. E tillë është iniciativa e Eduard Ndrecës për të shpallur 2 marsin e Besëlidhjes së Lezhës, festë zyrtare.
Projektligjet që nuk miratohen nga kjo legjislaturë, si rregull digjen e nuk transferohen tek Kuvendi i ri, sidomos kur propozuesi nuk është më deputet.

Komente










