Kjo e fundit dallohet për një angazhim të pazakontë, por të justifikueshëm, duke marrë parasysh se kemi të bëjmë tashmë me një proces, që duhet të marrë miratimin nga një pjesë e shoqërisë, e cila ka krijuar një sistem të shtrembëruar në dekadat e fundit të ngrehinës së shtetit ligjor.
Pra, politikanëve po u kërkohet që të heqin dorë vullnetarisht nga një sistem, i cili legalizon privilegjet e tyre – kryesisht privilegje të paligjshme – nëpërmjet të cilit ata mund të justifikojnë pasurimin e jashtëzakonshëm të siguruar me korrupsion, si dhe forcimin e pushtetit politik të mëtejshëm, që siguron ky pasurim.
Natyrisht, reforma që prek thellë Kushtetutën e vendit do të godasë pa mëshirë edhe shumë prej tyre, të cilët kanë zënë rrënjë në politikën shqiptare. Si dhe disa të tjerë, që kanë hyrë në politikë për të mbrojtur pozicionet e tyre prej mafiozësh.
Nuk mund të ketë dyshim se shumica e qytetarëve të këtij vendi, të cilët nuk mund të kenë favoret e politikanëve apo gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar, madje janë vuajtësit e vërtetë nga ky sistem, pasi të parët abuzojnë me paratë dhe pasuritë e tyre, janë pro reformës në drejtësi.
Dhe janë pro që ajo të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur. Por jo të gjithë qytetarët e thjeshtë kanë akses në mjetet e komunikimit masiv. Kështu, ndërkohë që në media konstatohet se qytetarët e telefonatave direkte nuk bëjnë gjë tjetër veçse ankohen për njerëzit e drejtësisë dhe politikanët, shumica e gazetave dhe televizioneve, si dhe të portaleve online, që po shtohen aktualisht me shpejtësi, vendin kryesor sidomos në faqet e para dhe lajmet e emisioneve kryesore informative ja rezervojnë argumentimit të nevojës për … të shtyrë në kohë reformën.
Si qendron puna? Gazetarët shqiptarë nuk janë qytetarë si gjithë të tjerët? Janë ata imunë ndaj korrupsionit galopant dhe gjithëpërfshirë në sistemin e drejtësisë?
Përkundrazi.
Por gazetarët janë të punësuar. Pavarësisht se çfarë mendojnë ata lidhur me këtë reformë personalisht, janë të detyruar të respektojnë një linjë editorial, që e bëjnë botuesit. Gjatë gjithë këtyre dekadave të post-komunizmit, botuesit shqiptarë kanë qenë të lidhur me politikën, me biznesin dhe, më keq akoma, në raste të caktuara, edhe me krimin, për të përfituar nga paratë e tyre.
Kjo vjen edhe si pasojë e rrënimit të tregut mediatik nga prania e shumtë e mediave në të dhe rënia e besueshmërisë së tyre. Por sidoqoftë është e habitshme se si gazetarë me përvojë dhe aftësi profesionale të detyrohen të dalin me emër nëpër artikuj që bien ndesh me ndërgjegjen kolektive të shqiptarëve sa i përket nevojës urgjente të një reforme radikale në vend, por edhe me ndërgjegjen e tyre vetiake.
Është e vështirë të besohet se një gazetar preferon të marrë pagën e tij mujore – shpesh me vonesa skandaloze – se sa të luftojë në redaksinë e tij për të ndryshuar linjë editorial në favor të një revolucioni të vërtetë shoqëror, që sapo ka nisur të ravijëzohet.
Në shoqërinë shqiptare tashmë ka nisur një epokë e ndryshimeve të rëndësishme, po aq të rëndësishme sa edhe ato të viteve 1990-1991, kur shoqëria ndryshoi radikalisht. Shtrembërimi në praktikë i ideve të mëdha të atyre viteve e ktheu në iluzion ëndrrën e rinisë shqiptare, krijoi një kastë të majmur që rrjep qytetarët dhe një sistem të tërë ku çdo gjë kthehet në të kundërtën e vet: drejtësia në padrejtësi, ligji në anti-ligj dhe shoqëria në një lukuni ujqish.
Është koha që gazetarët ta kuptojnë më mirë rolin e tyre në këtë revolucion të dytë demokratik.
Oportunizmi
Është e habitshme se si gazetarë me përvojë dhe aftësi profesionale të detyrohen të dalin me artikuj që bien ndesh me ndërgjegjen kolektive sa i përket nevojës urgjente të një reforme radikale në drejtësi
*) Ky shkrim është përgatitur në bashkëpunim me Osservatorio Balcani e Caucaso për Qendrën Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi vetëm e Shqiptarja.com dhe nuk mund të pretendohet në asnjë mënyrë se pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian
Redaksia Shqiptarja.com